Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj komenteve skeptike që qarkullojnë në rrjet lidhur me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet dhe se puna për këtë projekt është në rrugë të mbarë.



Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u përgjigj një komentuesi që shprehej se projekti “nuk do të realizohet kurrë”, duke rikujtuar se hekurudha është prezantuar publikisht që në fazën e projekt-idesë gjatë një mbledhjeje të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me fazën e re ku konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin më të mirë të kalimit, përmes Shkodrës dhe Gjakovës drejt Prishtinës,” – shkruan Rama. Ai shtoi se ekipi i përbashkët ka bërë me dije përfundimin e kësaj faze, ndërsa hapi tjetër është hartimi i projektit të detajuar nga ekspertizë ndërkombëtare dhe miratimi nga fondi evropian i investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Duke iu përgjigjur një komentuesi tjetër që i kërkonte të përfundonte fillimisht hekurudhën ekzistuese të Durrësit, Rama theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re besueshmërie ndërkombëtare, ku edhe projektet madhore po ecin më shpejt.
“Programi i hekurudhave është një paketë e re dhe gjithëpërfshirëse, që ka nisur me linjën Tiranë–Rinas–Durrës, ku puna është drejt përfundimit”, tha ai. Më tej, Rama përmendi projekte të tjera si Durrës–Hani i Hotit, Durrës–Rrogozhinë, Durrës–Fier dhe Fier–Vlorë, të gjitha të planifikuara për nisje brenda vitit 2030.
Ai siguroi qytetarët se në fillim të dekadës së ardhshme trenat do të jenë një realitet i përditshëm në vend.
Ndërsa për komentuesit që e akuzuan për projekte “vetëm në 3D”, Rama reagoi me ironi:
“Çdo vepër publike nis nga një ëndërr, më pas bëhet plan, projekt 3D dhe më pas realitet. Të gjitha 3D-të tona janë hallka e parafundit për ta kthyer ëndrrën në vepër.”
Ai shtoi se ndërtimi i Shqipërisë së vitit 2030 kërkon ëndrra, punë dhe shumë durim, madje edhe përballje me ata që, siç u shpreh ai, “shajnë dhe tallen nga kafenetë”.
©️zërionline


