Tragjedi që mund të shmangej: Humb jetën në detyrë elektricisti 32-vjeçar, arrestohen kolegët

Date:

Share post:

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm komunitetin e Mërtishit në bashkinë Divjakë, ku një punonjës i OSHEE-së humbi jetën në rrethana tragjike gjatë ushtrimit të detyrës.

Viktima është 32-vjeçari Xhulio Shtëmbari, elektricist me përvojë, i cili ndërroi jetë pasi u godit për vdekje nga energjia elektrike, teksa punonte për riparimin e një linje të tensionit të lartë prej 10 mijë kilovolt, që furnizonte zonat midis Mërtishit dhe Gradishtës.

Sipas informacioneve paraprake nga grupi hetimor, Shtëmbari ishte ngjitur në një shtyllë të tensionit të lartë, duke besuar se linja ishte çaktivizuar, sipas protokolleve të sigurisë që kërkojnë ndërprerjen e energjisë përpara ndërhyrjes teknike. Por tragjikisht, energjia elektrike në segmentin ku ai punonte nuk ishte ndërprerë.

Dyshohet se ishte stakuar një linjë tjetër dhe jo ajo në të cilën ndodhej viktima, një gabim fatal që i mori jetën 32-vjeçarit në mënyrë të menjëhershme.

Policia ka shoqëruar dhe më pas ka vënë në pranga dy punonjës të tjerë të OSHEE-së, Xhezmi Haliti, 60 vjeç, dhe Arben Presheva, 57 vjeç, të cilët akuzohen për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe neglizhencë që solli pasoja fatale.

I riu Xhulio Shtëmbari la pas bashkëshorten dhe një djalë të vogël, ndërsa familja e tij e shokuar kërkon drejtësi për humbjen e parakohshme të të afërmit të tyre.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në komunitet dhe mes kolegëve të viktimës, të cilët theksojnë nevojën për rritjen e sigurisë në punë dhe zbatimin rigoroz të protokolleve teknike për të shmangur tragjedi të tilla.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi përgjegjësitë dhe rrethanat e sakta të aksidentit.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

60 vite nga zbulimi i Amfiteatrit të Durrësit, monumenti vazhdon të tregojë historinë dhe lartësojë vlerat e qytetit

Një pemë e përpirë nga toka, pas një rrebeshi të fuqishëm, do të bëhej shenja e parë e...

Mori diplomën në UAMD, njeriu i zemrës i propozon për martesë para të gjithëve

Një mbrëmje që nisi me emocionet e diplomimit dhe përfundoi me një propozim për martesë. Klarisa Toska, 23 vjeçe,...

Ambasada amerikane zbardh takimin e Ambasadorit Wendt me kryeministrin Rama

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas takimit të ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt,...

Zjarret në Durrës, fiken 3 vatra, vijon lufta me flakët në Fllakë dhe Gjirin e Lalzit

Situata e zjarreve në qarkun e Durrësit është përmirësuar, por dy vatra vijojnë të jenë aktive. Sipas informacionit nga...