Mbrëmjen e kaluar, qendra kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës u kthye në skenën plot emocione dhe elegancë, ku muzika franceze mori jetë përmes zërave të 17 të rinjve nga e gjithë Shqipëria. Finalja e Festivalit të Këngës Franceze për të Rinj, e mbështetur nga Ambasada Franceze në Tiranë, ishte kulmi i një përzgjedhjeje të kujdesshme mes afro 100 pjesëmarrësish, që synonte të nxirrte në pah zërat më premtues të festivalit.

“Një mbrëmje vërtet të bukur”, e cilësoi këtë finale Amelie Lombardini nga Ambasada Franceze, duke theksuar përfaqësimin e gjashtë qyteteve dhe energjinë që të rinjtë sollën në skenën e teatrit të Durrësit. Festivali në Durrës u organizua dhe realizua nga Aleanca Franceze në Durrës.
Publiku që mbushi sallën shijoi çdo interpretim me entuziazëm, duke duartrokitur talentet që sollën tingujt dhe emocionet e muzikës franceze. Për njërin nga këngëtarët, Brigel Aliçkollin nga Korça, kjo ishte një mundësi për të lidhur serenatat e qytetit të tij me ndjeshmërinë e këngës franceze. “Si një korçar që vjen nga Parisi i vogël, mendova të bëj diçka ndryshe në këtë lidhje frankofone”, tha ai.
Kurorën e fitueses e mori Irsa Haxhillari nga Elbasani, e cila pushtoi zemrat e të gjithëve me interpretimin e ndjerë të “Himnit të dashurisë” nga Edith Piaf, një zgjedhje që dëshmoi maturi artistike dhe emocion të pastër. Vendin e dytë e mori Klea Murati nga Tirana dhe e treta u rendit nxënësja nga Durrësi Juna Ruçi.


Ky festival jo vetëm që i jep zë brezit të ri që ka talent muzikën dhe frengjishten, por forcon njëkohësisht lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Francës, pasi, siç dëshmoi kjo mbrëmje, muzika është dhe mbetet një gjuhë universale që flet përtej kufijve dhe bashkon vendet e zemrat.
©️zërionline


