Një ngjarje e rëndë tronditi këtë të premte qytetin e Shkodrës, ku dyshohet për një krim brenda familjes mes një çifti shtetasish amerikanë. Rreth orës 10:15 të mëngjesit, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, është gjetur e pajetë shtetasja amerikane S. S., e cila dyshohet se është vrarë me mjet prerës, thikë.
Në vendngjarje ndodhej bashkëjetuesi i saj, po ashtu shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ai është shoqëruar në spital për ndihmë mjekësore, pasi ishte në gjendje të dehur dhe kishte dëmtime të lehta në duar, të shkaktuara me mjete prerëse.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin ligjor të saj. Autoritetet janë duke hetuar motivet e këtij krimi të rëndë që ka tronditur opinionin publik vendas.
©️zërionline


