Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka goditur një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit, duke sekuestruar 10 piktura me vlerë të vlerësuar rreth 25 mijë euro.
Operacioni u zhvillua në dalje të territorit shqiptar, ku pas analizës së riskut, u kalua për kontroll të detajuar një furgon me drejtues shtetasin Kasem Qato, 37 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit në mjet, policia gjeti 10 vepra arti të padeklaruara, për të cilat drejtuesi nuk kishte asnjë dokument që të provonte origjinën apo pronësinë e tyre. Si pasojë, Qato u arrestua në flagrancë.


Nga hetimet e kryera, Policia Kufitare ka identifikuar edhe dy persona të tjerë të përfshirë në tentativën për trafikim: shtetasit Q. H., 25 vjeç, banues në Fier, dhe G. N., 53 vjeç, banues në Durrës, të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, nën akuzën “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.
©️zërionline


