Dhunës në familje nuk i shpëtojnë as qetësia e mëngjesit dhe as muret që duhej të ishin strehë. Në dy raste të ndryshme, dy gra janë dhunuar nga bashkëshortët e tyre, duke rikthyer vëmendjen te një plagë e rëndë sociale që shpesh mbetet e heshtur.
Në Durrës, një 42-vjeçar me inicialet V. D. u arrestua në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve, pasi ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij në banesë. Nga një tjetër cep i qarkut, në fshatin Borakë të Shijakut, një 62-vjeçar me inicialet M. G. përfundoi në pranga, pasi dyshohet se goditi me send të fortë bashkëshorten, duke i shkaktuar lëndime fizike.
Në të dyja rastet, reagimi i menjëhershëm i Policisë çoi në arrestimin e autorëve, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Shifrat zyrtare e tregojnë qartë, dhuna në familje mbetet një realitet i hidhur për shumë gra, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos heshtin. Çdo raportim është një hap drejt mbrojtjes së jetës dhe dinjitetit njerëzor.
©️zërionline


