Gjashtë nga shtatë personat e ndaluar gjatë operacionit të zhvilluar tre ditë më parë në Gjirin e Lalzit janë lënë në arrest me burg nga Gjykata e Durrësit. Në mesin e tyre ndodhet edhe Xhevdet Plaku, i njohur si Akili apo Kis, i kërkuar nga drejtësia italiane pas arratisjes nga burgu i Ankonës në janar.
Masa arrest me burg u caktua gjithashtu për Flobenc Meçjan, të kërkuar nga SPAK, Voltan Xhanin, të kërkuar për një krim në Shkodër, si dhe për stomatologun Jugert Xhanin, Fatjon Qesen dhe Oltion Hasanajn.
Ndërsa për Alfred Hasanajn, me origjinë nga Mamurrasi dhe banues në SHBA, gjykata vendosi masën e detyrimit për t’u paraqitur dhe ndalim të daljes jashtë shtetit.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Katër prej të ndaluarve do të hetohen për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, pasi u kapën me armë zjarri në momentin e ndalimit. Të tjerët akuzohen për moskallëzim krimi.
Avokati Gjon Huli, mbrojtës i Fatjon Qeses, deklaroi se do të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke argumentuar se klienti i tij ndodhej rastësisht në vendin dhe në kohën e gabuar.
“Vendimi i gjykatës nuk është i drejtë. Klienti im, Fatjon Qesja, nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë kriminale për të cilën dyshohet. Ishte ftuar nga Jurgen Xhani në tavolinë. Ai ndodhej thjesht në vendin dhe në kohën e gabuar. Do ta ankimojmë këtë vendim në Gjykatën e Apelit”, u shpreh avokati.
Të arrestuarit u ndaluan nga policia e Durrësit teksa po drekonin në një restorant në Gjirin e Lalzit. Mes tyre rezultuan të paktën tre persona me rrezikshmëri të lartë, të cilën u gjetën edhe të armatosur duke e rënduar më tej pozitën e tyre penale.
©️zërionline


