Hamami Mesjetar i Durrësit, një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit bregdetar, i stilit otoman, është tashmë i hapur për vizitorët. Lajmin e bëri të ditur drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, i cili tha se ky objekt me vlera të rralla historike do të mund të vizitohet për herë të parë këtë muaj e në vijim.


“Hapja e Hamamit Mesjetar për publikun është një investim i projektit EU4Culture, pas dëmeve të mëdha që ai pësoi nga tërmeti i vitit 2019. Ky objekt përbën një pjesë të rëndësishme të historisë urbane të Durrësit dhe përmes tij plotësojmë një ‘puzzle’ të munguar në trashëgiminë kulturore të qytetit”, deklaroi Ramohitaj.

Hamami, një monument kulture i kategorisë së parë, u restaurua gjatë vjeshtës së kaluar falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian. Restaurimi përfshiu riparimin e sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme, fasadave, si dhe instalimin e teknologjisë për interpretim digjital, duke ofruar një përvojë të pasur dhe bashkëkohore për vizitorët vendas dhe të huaj.
Përveç hapjes së Hamamit, drejtori Ramohitaj u ndal edhe tek çështja e rihapjes së Muzeut Arkeologjik, duke njoftuar se punimet janë drejt përfundimit.
“Muzeu Arkeologjik do të hapet shumë shpejt. Për herë të parë do të jenë të hapura të tre katet e tij, gjë që nuk ka ndodhur më parë.”
Aktualisht, Durrësi, një qytet me 3000 vjet histori, ofron për vizitorët vetëm disa nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike, përfshirë Amfiteatrin Antik, Torrën Veneciane dhe tashmë edhe Hamamin Mesjetar. Po ashtu, në ambient të hapur mund të vizitohet edhe Forumi Bizantin.
Hapja e Hamamit vjen si një shtysë e re për zhvillimin e turizmit kulturor në qytet, duke forcuar më tej profilin e Durrësit si një destinacion që ofron jo vetëm plazh, por edhe histori dhe trashëgimi.
Vali Qyrfyçi
©️zërionline


