Gjykata e Lartë vendosi burg të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili vrau me armë zjarri katër policë në vitin 2009 në plazhin e Durrësit. Edhe pse kishte kërkuar përjashtim nga trupa e gjykimit të gjyqtarit Sandër Simoni, si një taktikë për të zvarritur dhënien e vendimit gjykata i ka dhënë fund gjithçkaje duke marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kundërshtoi zbutjen e dënimit nga gjykata e Apelit.
Dritan Dajti u dënua nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni të organizuar për arrestimin e Dajtit.
Por, në shkurt të vitit 2019 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg. Vendim ky që u godit duke kaluar për rekurs në Gjykatën e Lartë.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


