Presidenti amerikan Donald Trump tronditi opinionin publik, veçanërisht industrinë e turizmit me idenë për të rihapur burgun famëkeq të Alkatrazit, një kompleks penal i mbyllur prej më shumë se 60 vitesh në brigjet e San Franciskos. Ishulli, i njohur sot si një atraksion turistik historik, është rikthyer në qendër të debatit politik si simbol i “ligjit dhe rendit”.
Trump e publikoi nismën përmes rrjetit të tij “Truth Social”, ku theksoi se Alkatrazi duhet të rihapet për të strehuar “kriminelët më të rrezikshëm dhe emigrantët e paligjshëm”. Ai u shpreh se vendi ka humbur seriozitetin e dikurshëm dhe se “nevojitet një qasje drastike për të rikthyer autoritetin shtetëror”.
Nisja e vlerësimeve teknike
Pas deklaratës së Trump, Drejtoria e Burgjeve (BOP) ka konfirmuar se ekipe inxhinierësh kanë filluar vlerësimin e infrastrukturës së ish-burgut, për të parë nëse është teknikisht e mundur ta rindërtojnë ose modernizojnë. Drejtori i BOP, William Marshall, u shpreh për media amerikane se ndodhen aktualisht në fazën eksploruese, pa dhënë ndonjë afat konkret.
Por, realiteti është shumë më kompleks. Ishulli i Alkatrazit nuk ka ujë të pijshëm, kanalizim funksional apo rrjet energjie, dhe çdo tentativë për ta transformuar në një burg funksional do të kërkonte miliona dollarë investime. Sipas analistëve të sigurisë, restaurimi mund të kushtojë 3 deri në 5 milionë dollarë, ndërsa kostoja operative në zonën e Gjirit të San Franciskos është tepër e lartë, deri në trefishin e një burgu të zakonshëm federal.
Reagime të forta nga autoritetet dhe komuniteti
Plani i Trump ka hasur menjëherë në kundërshtime. Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe senatorë të Kalifornisë e patëm quajtur këtë ide “spektakël politik pa asnjë vlerë reale”.
Ndërkohë, edhe industria e turizmit në San Francisko është alarmuar. Alkatrazi vizitohet çdo vit nga qindra mijëra turistë dhe është një simbol historik i qytetit. Rihapja si burg do të rrezikonte ngjarje madhore si triatlonin e famshëm “Escape from Alcatraz”, dhe sipas San Francisco Chronicle, ekonomia lokale do të pësonte një goditje të rëndë.
Aktualisht, nuk ka asnjë vendim ligjor të miratuar nga Kongresi për të financuar apo aprovuar këtë projekt. Rihapja e Alkatrazit është vetëm në nivelin e deklaratave politike dhe analizave teknike paraprake. Sipas eksperteve, pa një mbështetje të qartë ligjore dhe buxhetore, ideja mbetet simbolike.
Skeptikët thonë se Trump po e përdor Alkatrazin si një mjet për të forcuar profilin e tij si lider i ashpër ndaj krimit dhe emigracionit. Në deklaratat e tij, ai ka përmendur edhe mundësinë për të dërguar të burgosurit në burgje jashtë SHBA-së, si ai famëkeq në El Salvador (CECOT), apo për të ndërtuar një qendër masive paraburgimi në Guantanamo.
Rihapja e Alkatrazit përballet me sfida serioze teknike, ligjore dhe financiare, që nuk dihet nëse do të kapërcehen kaq lehtë.
Por kur Trump vendos, edhe bëhet.
Ndërkohë, komuniteti i San Franciskos dhe autoritetet lokale nuk duken të gatshme të sakrifikojnë një simbol historik për një eksperiment penal me kosto të lartë dhe efektivitet të dyshimtë.
©️zërionline


