Nëntë marinarë të huaj, tetë prej tyre me origjinë siriane dhe një egjiptian, vijojnë të qëndrojnë të bllokuar prej më shumë se gjashtë muajsh në portin e Durrësit, pasi ishin pjesë e ekuipazhit të anijes “Aya Zanoubya”, e sekuestruar në janar për kontrabandë karburanti.
Prokuroria e Durrësit u ka bllokuar pasaportat, duke ua pamundësuar kthimin pranë familjeve apo gjetjen e një vendi të ri pune, ndërkohë që ndodhen në kushte të rënda fizike dhe psikologjike.
Në mungesë të pagave, ushqimit dhe shërbimeve bazë, marinarët kanë kërkuar ndihmë nga Federata e Sindikatave të Punonjësve të Transportit dhe Telekomunikacionit (FSPTT), e cila sot ndërhyri me furnizime emergjente me ujë dhe ushqime. Përfaqësuesit e saj e kanë ngritur çështjen në nivel institucional dhe apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme.

“Nuk marrin as paga dhe janë në vështirësi me bazën ushqimore, për ushqim, veshje, ujë. Ne e kemi ngritur shqetësimin deri në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë”, – u shpreh Tonin Gjinaj, Sekretar i Përgjithshëm i FSPTT.
“Përveç kësaj, kemi marrë kontakte me marinarët vazhdimisht dhe sot shkuam t’i shohim nga afër.”
Sipas tij, marinarët janë punëmarrës, jo pjesë vendimmarrëse e aktivitetit të paligjshëm për të cilin akuzohet anija, ndaj nuk mund të trajtohen si përgjegjës për veprimet e pronarëve apo kompanisë që i ka punësuar.
“I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente, që përpara se të shkojnë të shijojnë rrezet e diellit dhe pushimet, të kthejnë vëmendjen edhe tek këta fatkeq”, apelon Gjinaj.

Ai kritikoi edhe mungesën e reagimit nga sindikata e portit, që sipas tij ekziston vetëm në letra dhe “nuk i intereson aspak për punonjësit, të cilët janë lënë në mëshirë të fatit.”
Anija “Aya Zanoubya”, me flamur të Tanzanisë, mbërriti në portin e Durrësit në janar me ngarkesë çimentoje nga Tunizia. Ajo u sekuestrua nga Policia e Durrësit, e cila arrestoi kapitenin dhe dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit, ndërsa shpalli në kërkim dy pronarë shqiptarë. Pjesa tjetër e ekuipazhit u vendos nën hetim në gjendje të lirë për kontrabandë nafte. Ironikisht, vetëm një muaj pas sekuestrimit, vetë nafta e dyshuar si kontrabandë u vodh nga anija dhe u shit në treg nga punonjës policie, të cilët më vonë u arrestuan nga kolegët e tyre. Dosja është tashmë në duart e SPAK.
Në emër të sindikatave ndërkombëtare të transporteve, përfshirë ITF dhe ETF, Federata shqiptare kërkon një zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se trajtimi i marinarëve është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për të drejtat e punëtorëve dhe lirinë e lëvizjes.
“Këta persona janë thjesht punonjës. Ata kanë familje, kanë nevoja jetike, dhe nuk mund të mbahen peng për një çështje që nuk është në dorën e tyre. Ajo që po ndodh është e papranueshme.”, – përfundon Gjinaj.
©️zërionline


