Tik-Tok & Co, rrezik i shtuar për të miturit. Mos hesht!!!

Date:

Share post:

Foto e një gjimnazisteje durrsake e shoqëruar me fyerje, etiketime të turpshme dhe numrin personal të telefonit u shpërnda në rrjetet sociale, Facebook dhe Instagram, pak kohë më parë, në mënyrë të frikshme duke diktuar izolim, frikë dhe nxitur gjetjen e mënyrave fatale “për ikjen nga kjo botë e pështirë”, aspak e bukur për të. E dinte kush ishin shoqet që ia kishin bërë, por ndjehej e pafuqishme për ta ndalur ortekun e dhembjes dhe fyerjeve që vërshoi mes bashkëmoshatarësh. Një vorbull e frikshme ndjesish, turpi, krize që mund të përfundonte keq nëse nuk do të kishte folur me të ëmën. Gjithçka duhej të merrte zgjidhje, duhej menaxhuar, po pa rënë në vesh të babait dhe vëllait. Gjithsesi hapja me njërin nga prindërit i dha rrugë zgjidhjes pa marrë jetën e një të reje që sapo kishte nisur të thurte ëndrrat për arsimin e lartë dhe të luftonte fort për t’ia dalë mbanë. Tre vjet më pas, Enisa (nuk është emri i saj i vërtetë) thotë se do të kishte humbur në atë labirinth të errët ku e futi zilia dhe gjuha e urrejtjes e dy shoqeve të saj. 

“U gjeta e papërgatitur, e mposhtur nga turpi. Nuk doja të dilja nga shtëpia, as të shkoja në shkollë. Ndjehesha e pisët pa qenë. Isha në klasën XI dhe po mësoja fort për të mbyllur me sukses gjimnazin dhe fituar të drejtën e studimit me bursë, qoftë dhe të pjesshme, për të studiuar jashtë vendit. Mendova dhe vetëvrasjen si zgjidhja. Nuk doja ta turpëroja familjen. Dy-tri ditë nuk shkova në shkollë duke thënë se jam e sëmurë. Mami e mori vesh dhe kërkoi të dinte pse. U detyrova t’ia them dhe pse nuk doja. Isha keq, por ajo më shpëtoi. Sot jam studente në në një nga universitetet më të mira të Evropës. Ndjehem krenare për veten time dhe familjen, po gjithçka kalova e përjetoj ende si një makth që mund të ishte mbyllur keq. Sot, rrjetet sociale janë bërë dhe më të frikshme dhe shumë adoleshentë të tjerë mund të gjenden në të njëjtën situatë që kalova. Madje dhe më keq, sepse fotot e mia u shpërndanë në inbox-e të shoqërisë dhe të tjerëve, jo në tik-tok ku shpërndarja është dhe më e frikshme e virale. Dua t’u them çdokujt që përballet me një situatë të ngjashme: 

Mos hesht! Flisni me prindërit ose me një mësues! Ata do ta gjejnë zgjidhjen dhe të të shpëtojnë nga pasojat fatale. Mos hezitoni! Është e vështirë në atë moshë, por është SHPËTIM.” 

Gjatë vitit 2023, 80 të mitur deklarohet se denoncuan pranë Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) se janë rrezikuar nga interneti. 

Sipas AKCESK, ky numër është katërfishuar, krahasuar me vitin 2022. Denoncimet e të miturve janë të ndryshme, ndërsa mbizotëron bullizmi.

“Në platformën tonë të raportimeve janë ofruar rreth 80 raste, kryesisht peshën më të madhe e kanë pjesa e bullizimit kibernetik dhe në këto 80 raste numri më i madh i tyre ka ardhur nga grupi i adoleshentëve”, tha Igli Tafa, drejtor i AKCESK.

TikTok mbetet rrjeti më i frikshëm, ndaj pritet që AKCESK të marrë masa ndaj kësaj platforme sociale.

“Është marrë një nismë për kufizimin e kësaj platforme për shkak të rrezikut të lartë që paraqet lidhur me lirinë e veprimit dhe mosvendosjen e filtrave. E kemi orientuar si hap të parë për ta bllokuar në nivelin shtetëror dhe mendoj se jemi drejt kësaj rruge”, u shpreh më tej Tafa, që apelon se rol të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet dhe ekspozimi në platforma të ndryshme luajnë prindërit.

Interneti është sot një mjet i domosdoshëm komunikimi, por ai është kthyer gjithashtu edhe në një kërcënim për shoqërinë. Numri i fëmijëve që rrezikohen nga ekspozimi në internet është shumë herë më i madh sesa raportimet, ndërsa autoritetet apelojnë për ndërgjegjësim dhe denoncim të çdo rasti.

Si pasojë e sfidave të rrezikshme dhe bullizmit online, rrjetet sociale janë kthyer në burim të tragjedive, si humbje jete apo dëmtim i vetes. Në fund të janarit, një 18-vjeçar shqiptar në Trevizo humbi jetën pasi tentoi të bënte surf me makinë, një ndër sfidat e përhapura në TikTok. Ku është vetëm një nga dhjetëra rastet e muajve të fundit që shqetësojnë opinionin publik.

Teksa bëhen thirrje për ashpërsim legjislacioni kundrejt përdorimit të aplikacioneve apo lundrimit në boten virtuale, ekspertet e cilësojnë si një sfide të kohës moderne.

Sipas ekspertëve, vendi ynë ka shumë mangësi në fushën ligjore për infrastrukturën e monitorimit të rrjeteve sociale dhe është e pamundur të bllokosh një platformë ndërkombëtare. Edhe kriteri moshë që kërkohet për t’I ndjekur ato përmes kujtdo fëmije që zotëron një celular të mençur, smartphone, përmes gënjeshtrës duke dhënë moshën e kërkuar, kapërcehet lehtë. 

Siguria kibernetike mbetet një nga sfidat më të mëdha të çdo vendi dhe shoqërie sot.

Rastet e ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale në këto rrjete sociale janë të shumta dhe diktojnë deri në vetëvrasje, jo vetëm tek të miturit por edhe tek të rriturit, kryesisht vajza dhe gra. “Kemi pasur raste bullizmi deri te ngacmimi apo abuzimi seksual në rrjete sociale. 

Shumë vende të botës janë duke shtuar masat dhe përpjekjet për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, veçanërisht për ata të moshës nën 16 vjeç. 

Në mungesë të nismave shtetërore, kontrolli prindëror dhe vendosja e filtrave janë shumë të rëndësishme, krahas autoriteteve përgjegjëse shtetërore, pasi të gjithë këta aktorë mund të ndihmojnë në ndërgjegjësimin e të gjithë shoqërisë për të raportuar lirisht abuzimet online.

@zërionline 

*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.

spot_img

Artikuj të lidhur

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...

Para pa deklaruar dhe pajisje të dyshimta, në pranga 49-vjeçari në dalje të Portit

Një 49-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kontrollit Kufitar të Portit të Durrësit, pasi...

Ndërtime pa leje në Himarë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona

Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 4 ish-zyrtarët e IMT-së Himarë dhe 3 shtetas për...

Përfundimisht 30 vite burg shqiptares që masakroi çiftin Tasho në Itali

41-vjeçarja shqiptare, Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Dënimi i...