Durim Bami, një prej personave më të kërkuar në Shqipëri, u arrestua në Dubai në qershor 2024. Megjithatë, më 12 gusht 2024, dy muaj pas vendosjes së masës së sigurimit “Arrest me burg” për 60 ditë nga gjykata e Dubait, e njëjta gjykatë urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri kishte caktuar më 15 maj 2024 masën e sigurimit “Arrest me burg” për Bamin, i akuzuar për krime të rënda si “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Në historikun e botës së krimit, rezulton se vitet e fundit grupet kriminale patën ofruar një milion euro për informacion mbi vendndodhjen e Bamit dhe kërkuan ndihmë nga kriminelë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ta eliminur atë. Por dështuan.
Pas megaoperacionit të SPAK-ut “Metamorfoza 2”, që përfshiu 50 urdhër-arreste për individë të botës së krimit në Shqipëri, u zbuluan detaje mbi përpjekjet për të eliminuar Bamin. Ai kishte prishur balancat me liderët e grupeve dhe dyshohej si autor i vrasjes së Aleksandër Ndokës.
Ndoka kishte mobilizuar burimet e tij dhe lidhjet me figura të botës së krimit për të eliminuar Bamin, duke përdorur metoda të ndryshme, përfshirë atentate me eksploziv dhe ndjekje të vazhdueshme nga 16 persona. Po ashtu, ishte përpjekur të përdorte një vajzë si informatore për të organizuar një atentat, por kjo përpjekje gjithashtu dështoi.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Bami është tani i lirë në Dubai, ku autoritetet shqiptare dhe Interpoli nuk arritën të realizojnë ekstradimin e tij brenda 60 ditëve të caktuara nga gjykata arabe.
Ky rast nënvizon sfidat e mëdha me të cilat përballen autoritetet e drejtësisë ndërkombëtare në përpjekjet për të ndjekur penalisht individë të kërkuar në një ambient ku ligji shpesh është i papërfillur, duke e bërë Dubain një parajsë penale dhe fiskale për kriminelët, apo një “paaftësi” e autoriteteve tona për t’ia dalë mbanë kryerjes së procedurave brenda një afati të caktuar kohor nga autoritetet e drejtësisë së Dubait, të cilat u investuan për ndalimin e Bamit dhe mbajtjen e tij në qeli për dy muaj me qëllim ekstradimin e tij.
@zërionline


