Ngjarja tronditëse ku një mësues i Albanian College në Tiranë Mathew James Werts vrau gruan e tij, dy qentë dhe më pas veten, ngre çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe problematikën e shëndetit mendor. Rasti i tij është një shembull i tragjedive që ndodhin kur shëndeti mendor dhe abuzimi psikologjik kalojnë pa u trajtuar. Ky individ, siç u raportua në media pas krimit, e mbante gruan e tij indoneziane me pasaportë amerikane të izoluar nga bota e jashtme për vite me radhë, duke e kontrolluar plotësisht jetën e saj dhe duke e detyruar të jetonte në kushte të ngjashme me burgosjen.

Një nga aspektet më shqetësuese të kësaj ngjarjeje është ndikimi i izolimit të zgjatur në shëndetin mendor të viktimës. Përjetimi i një kontrolli të tillë ekstrem nga një partner mund të shkaktojë dëme të thella psikologjike, duke çuar në depresion, ankth të rënduar dhe ndjenjën e të qenit e pashpresë.
Nga ana tjetër, veprimet e vetë autorit mund të jenë rezultat i një gjendjeje të rënduar mendore, pasi nuk rezulton që ai të ketë kërkuar ose marrë ndihmën e duhur për të trajtuar gjendjen e tij. Letra e lamtumirës që la pas dëshmon se ai ishte i vetëdijshëm për dështimin e tij për të përballuar situatën, por në mungesë të mbështetjes, ai u drejtua nga dhuna dhe vetëvrasja.
Ky rast nënvizon nevojën urgjente për ndërhyrje më të hershme dhe më efektive për trajtimin e shëndetit mendor, si dhe për identifikimin dhe parandalimin e abuzimit dhe kontrollit në marrëdhëniet në çift.
©️zërionline


