Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës bëri të ditur në një njoftim të saj se ka nisur hetimet për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, e parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal. Hetimi është regjistruar më 16 gusht, pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për një ngarkesë të dyshimtë të nisur nga porti i Durrësit në fillim të korrikut.
Sipas informacionit zyrtar, Prokuroria po heton gjithashtu për veprat penale “Transportimi i mbetjeve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 201/b dhe 248 të Kodit Penal. Dyshimet përfshijnë ngarkesa me mbetje toksike, të cilat mund të kenë kaluar përmes portit të Durrësit me destinacion Tajlandën, sipas informacioneve të mbledhura nga media dhe autoritetet përkatëse.
Në vijim të këtyre hetimeve, Prokuroria ka nisur një bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), institucionet ligjzbatuese shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë, për të zbardhur sa më shpejt dhe plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ndërkaq bëhet me dije se kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike të kompanisë turke do të kthehen nga janë nisur, në Shqipëri.
©️zërionline


