Një situatë e rënduar nga virozat ka shkaktuar mungesa të shumta në institucionet e arsimit parauniversitar në Durrës gjatë 10 ditëve të fundit, duke ngritur shqetësime të shumta te prindërit. Veçanërisht e ndjeshme është situata në godinën e shkollës “Eftali Koçi” ku bëjnë mësim dy shkolla, përfshirë dhe atë “Kushtrimi i Lirisë” në të cilën u konfirmua një rast i meningitit akut, duke bërë që mungesat në klasa të arrijnë deri në 80%. Rasti i nxënësit të klasës VIII është i dyti me këtë diagnozë brenda këtij dimri, ndërsa sëmundja kishte vite që nuk shfaqej në Durrës, sipas mjekëve, në këtë grupmoshë.

Pavarësisht kësaj, drejtoresha e shkollës ka urdhëruar vijimin e mësimit edhe nëse në klasë ndodhet vetëm një nxënës, një vendim që është cilësuar absurd nga prindërit dhe mësuesit. Ata shprehin pasiguri për shëndetin e fëmijëve dhe kërkojnë masa më të forta mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e infeksioneve.
Nga ana tjetër, Lindita Muhedini, drejtuese e Qendrës Ekonomike të Arsimit në Durrës, në varësi të bashkisë, deklaroi se në këtë situatë të rënduar virale është kryer dezinfektimi i 13 kopshteve publike me fjetje dhe 5 çerdheve, për shkak të mungesës së theksuar të fëmijëve. Megjithatë, ajo theksoi se ky proces nuk është zbatuar në shkolla, pasi nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare nga drejtuesit e arsimit në qytet.
Në një situatë ku shqetësimi për shëndetin e fëmijëve është i lartë, mungesa e një qasjeje të koordinuar mes institucioneve arsimore dhe autoriteteve përgjegjëse shëndetësore mbetet një pikë kritike që kërkon zgjidhje urgjente.
V.Q.
©️zërionline


