Gjykata e Fierit ka vendosur parashkrimin e dënimit me 25 vite burg për Sokol Hoxhën, autorin e vrasjes së dy vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj në Patos, në mars të vitit 1997.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Aurora Tusha, në përputhje me kërkesën e prokurores Malbora Dinaj, pasi kishte kaluar afati 20-vjeçar i parashkrimit të dënimit penal.
Megjithatë, Hoxha nuk pritet të lirohet, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e Brunilda Dervishit në Bruksel, në gusht të vitit 1997.
Hetimet për këtë ngjarje kanë përfshirë dyshime se viktima ishte shfrytëzuar për prostitucion dhe se vrasja kishte ardhur pasi ajo kishte kundërshtuar këtë situatë.
51-vjeçari u ekstradua nga SHBA-ja më 6 gusht, pas arrestimit në maj në kuadër të operacionit “Globi”, dhe u transferua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin në Shqipëri.
Vrasja e dy vëllezërve Banaj ndodhi pranë tregut të fruta-perimeve në Patos. Sipas raportimeve të kohës, konflikti dyshohet se kishte nisur për një kasetofon makine.


