Sokol Hoxha, 51-vjeçari nga Patosi, i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie, ku kërkon që të shpallet parashkrimi i dënimit penal ndaj tij.
Hoxha është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Ndërkohë, ai është dënuar edhe me burgim të përjetshëm nga drejtësia belge për vrasjen e Brunilda Dervishit.
Përmes kërkesës së paraqitur në gjykatë, 51-vjeçari synon të përfitojë nga parashkrimi i ekzekutimit të dënimit, duke pretenduar se kanë kaluar 26 vite nga vendimi i dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000, pa u ekzekutuar ky vendim.
Sokol Hoxha u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin maj, gjatë operacionit të koduar “Globi”, i realizuar falë bashkëpunimit të autoriteteve ligjzbatuese shqiptare, belge dhe amerikane.
©ZëriOnline


