Futbollisti 26-vjeçar i FC Shkupit, Andrej Lazarov, ka humbur jetën pas plagëve të marra nga zjarri shkatërrues në një diskotekë në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Shtipit, ai nuk arriti të mbijetojë.
Klubi i tij, FC Shkupi, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, konfirmoi lajmin e hidhur, duke e përshkruar Lazarovin si një hero që humbi jetën duke ndihmuar të tjerët të shpëtojnë nga flakët. Sipas njoftimit të klubit, ai u helmua nga tymi gjatë përpjekjeve për të nxjerrë njerëzit nga ambienti i përfshirë nga zjarri.
“Veprimi i tij heroik do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, si një dëshmi e karakterit të tij fisnik dhe zemrës së tij të madhe. Kjo është një humbje e madhe për klubin, për shokët e ekipit dhe për gjithë komunitetin e futbollit”, shkruhet në deklaratën e FC Shkupit, e cila i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të futbollistit.


Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, kur një zjarr i madh përfshiu një klub nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut, duke shkaktuar vdekjen e 59 personave dhe plagosjen e 155 të tjerëve. Në momentin e fatkeqësisë, në lokal ndodheshin rreth 1500 të rinj, të cilët po ndiqnin performancën e grupit muzikor vendas DNA.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e kësaj tragjedie, ndërsa vendi është zhytur në zi për humbjet e shumta njerëzore.
©️zërionline


