Sot, më 18 mars, besimtarë nga mbarë vendi i janë drejtuar Kishës së Shna Ndout në Laç, duke shënuar fillimin e pelegrinazhit të njohur si “13 të martat e shenjta”. Ky ritual, i cili zhvillohet çdo vit, nis në mes të marsit dhe kulmon më 13 qershor, ditën e festës së Shna Ndout.

Kisha e Shna Ndout, e ndodhur në majë të një mali në Laç, daton që nga shekulli XIII dhe është bërë një pikë referimi për besimtarët e të gjitha feve në Shqipëri. Çdo të martë, mijëra pelegrinë përshkojnë rrugën drejt këtij vendi të shenjtë, duke ngjitur qindra shkallë në shenjë sakrifice dhe devocioni.
Pelegrinazhi i 13 të martave bashkon shqiptarë të cilët i përkasin feve të ndryshme myslimanë, katolikë, ortodoksë, të cilët, pavarësisht besimit të tyre, zgjedhin të vizitojnë “vendin që bën mrekulli”.
Besimtarët ndezin qirinj pranë gurëve të shenjtë, ndjekin meshën, adhurojnë ikonat e shenjta dhe luten për shëndet, harmoni familjare dhe mirësi. Shumë prej tyre besojnë në mrekullitë e Shna Ndout, duke treguar histori personale të shërimeve dhe ndihmës hyjnore.
Për mbarëvajtjen e këtij pelegrinazhi, autoritetet lokale kanë marrë masa të posaçme sigurie dhe kanë hartuar plane për të lehtësuar qarkullimin e besimtarëve drejt kishës.
Ky ritual shumëvjeçar vazhdon të mbetet një dëshmi e fortë e besimit dhe traditës fetare në Shqipëri, duke bashkuar njerëz nga të gjitha sferat e jetës në kërkim të paqes shpirtërore dhe bekimeve hyjnore.
©️zërionline


