Porti dhe qyteti i Durrësit është shndërruar në një arenë të hapur arti me mbërritjen e anijes muze “Art Explora”, e para e këtij lloji që viziton Shqipërinë. Gjatë një turi botëror me 15 ndalesa në porte të ndryshme, Durrësi është përzgjedhur si pika e vetme ndaluese në vendin tonë.
Për 12 ditë me radhë, kjo anije do të ofrojë ekspozita digjitale, pavione të kuruara për çdo moshë, workshope me artistë ndërkombëtarë dhe koncerte nga këngëtarë shqiptarë dhe grupe të huaja, të gjitha me hyrje të lirë për publikun.




Në ditën e parë të qëndrimit, “Art Explora” u vizitua nga kryeministri Edi Rama, së bashku me përfaqësues të ambasadës franceze në Tiranë dhe ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato.

“BE është e lumtur të mbështesë këtë festival përmes programit tonë Creative Europe. Më shumë sesa një kontribut, ai është një deklaratë e përkushtimit tonë ndaj kulturës si gjuhë e përbashkët. Mozaiku mesdhetar i kulturave është pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët evropiane, një trashëgimi që BE-ja është e përkushtuar ta kremtojë, ta ruajë dhe ta ndajë.
Artistët dhe punonjësit e kulturës ndihmojnë në nxitjen e transformimit social që mbështet anëtarësimin në Bashkimin Evropian: të menduarit kritik, të kuptuarit e këndvështrimeve të tjera dhe lirinë e mendimit. Kjo është arsyeja pse BE-ja në Shqipëri po punon ngushtë me artistët dhe institucionet kulturore, duke e lidhur krijimtarinë e tyre me vlerat themeluese të Bashkimit Evropian”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Art Explora konsiderohet një përvojë unike kulturore që bashkon ekspozita, koncerte live, punëtori krijuese dhe instalacione gjithëpërfshirëse, duke ofruar një axhendë të gjallë që fton të gjithë të eksplorojnë fuqinë e artit dhe trashëgiminë e përbashkët.
“Porti i Durrësit do të jetë për 12 ditë një arenë artistike e hapur për të gjitha moshat”, tha Konstandin Feshti, zëdhënës i festivalit.
“Vizitorët mund të shohin ekspozita digjitale dhe pavione të veçanta, të marrin pjesë në workshope dhe të përjetojnë artin në mënyrë aktive.”
Kuratorja e festivalit, Arnisa Zeqo, u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë këtë përvojë të rrallë:
“Është një ftesë për të gjithë që të hyjnë në botën e artit përmes një hapësire lundruese, të re dhe përfshirëse.”

Anija është ankoruar në kalatën zero, ku janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e fluksit të vizitorëve. Që në mbrëmjen e parë, interesimi ka qenë i lartë, me pjesëmarrje të madhe nga vendas dhe turistë të huaj.
©️zërionline


