Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm komunitetin e Mërtishit në bashkinë Divjakë, ku një punonjës i OSHEE-së humbi jetën në rrethana tragjike gjatë ushtrimit të detyrës.
Viktima është 32-vjeçari Xhulio Shtëmbari, elektricist me përvojë, i cili ndërroi jetë pasi u godit për vdekje nga energjia elektrike, teksa punonte për riparimin e një linje të tensionit të lartë prej 10 mijë kilovolt, që furnizonte zonat midis Mërtishit dhe Gradishtës.

Sipas informacioneve paraprake nga grupi hetimor, Shtëmbari ishte ngjitur në një shtyllë të tensionit të lartë, duke besuar se linja ishte çaktivizuar, sipas protokolleve të sigurisë që kërkojnë ndërprerjen e energjisë përpara ndërhyrjes teknike. Por tragjikisht, energjia elektrike në segmentin ku ai punonte nuk ishte ndërprerë.
Dyshohet se ishte stakuar një linjë tjetër dhe jo ajo në të cilën ndodhej viktima, një gabim fatal që i mori jetën 32-vjeçarit në mënyrë të menjëhershme.
Policia ka shoqëruar dhe më pas ka vënë në pranga dy punonjës të tjerë të OSHEE-së, Xhezmi Haliti, 60 vjeç, dhe Arben Presheva, 57 vjeç, të cilët akuzohen për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe neglizhencë që solli pasoja fatale.
I riu Xhulio Shtëmbari la pas bashkëshorten dhe një djalë të vogël, ndërsa familja e tij e shokuar kërkon drejtësi për humbjen e parakohshme të të afërmit të tyre.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në komunitet dhe mes kolegëve të viktimës, të cilët theksojnë nevojën për rritjen e sigurisë në punë dhe zbatimin rigoroz të protokolleve teknike për të shmangur tragjedi të tilla.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi përgjegjësitë dhe rrethanat e sakta të aksidentit.
©️zërionline


