Një javë pas ngjarjes tragjike në Mërtish të Divjakës, ku humbi jetën 32-vjeçari Xhulio Shtëmbari në krye të detyrës si elektricist i OSHEE-së, të afërm të tij kanë reaguar me dhembje dhe indinjatë ndaj mungesës së reagimit institucional.
Në një mesazh të dërguar për Zërin Online, një i afërm i viktimës shprehet i zhgënjyer nga mënyra sesi është trajtuar rasti nga institucionet përgjegjëse dhe kompania ku Shtëmbari punonte.
“Asnjë reagim, madje as ngushëllime, as falje për atë që bënë. Jo më ndihmë apo mbështetje të tjera”, shkruan familjari. Ai thekson se tashmë, në vend që familja të ketë mbështetje, duhet të përballet me betejën ligjore për të kërkuar të drejtat që i takojnë të ndjerit dhe djalit të tij të vogël.
“Ndër familjarët e tij jam. Duhet me u marrë me gjyqe e avokatë që djali të marrë të drejtat dhe hakun e vet. Turp për shtetin! Edhe OSHEE t’i japë atë që i takon, asgjë më shumë”, vijon më tej reagimi.

Ai nënvizon faktin se një nga përgjegjësit për këtë humbje të rëndë është lënë i lirë, ndërkohë që pas ngjarjes ka mbetur një fëmijë pa baba dhe një bashkëshorte e ve.
“Duhet theksuar që përgjegjësi është i lirë në shtëpi. Fëmija ka mbetur pa baba, bashkëshortja është e vetme tashmë. Dhe shteti as nuk merr mundimin të ndihmojë familjen, por edhe lë të lirë një prej atyre që kanë faj.”
Kujtojmë se Xhulio Shtëmbari humbi jetën më 14 prill, teksa po kryente riparimin e një linje 10 mijë kilovolt që furnizonte zonën e Mërtishit dhe Gradishtes. Dy punonjës të OSHEE-së, Xhezmi Haliti dhe Arben Presheva, u arrestuan nga policia, të akuzuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, pasi dyshohet se nuk kishin ndërprerë energjinë elektrike në linjën ku ndodhej viktima.
Familjarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për humbjen e 32-vjeçarit dhe thonë se nuk do të ndalen derisa të zbardhet e gjithë e vërteta dhe të mbahet përgjegjësi për jetën e humbur.
©️zërionline


