Një tjetër rast kontrabande është goditur nga policia Kufitare në Portin e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “In”. Një 38-vjeçar nga Devolli është arrestuar në flagrancë pasi tentoi të fuste në territorin shqiptar 116 celularë dhe 18 shishe me verë, të padeklaruara dhe pa dokumentacion shoqërues.


Shtetasi R. A., i cili drejtonte një kamion që vinte drejt Shqipërisë, u ndalua për kontroll nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bazë të analizës së riskut dhe kontrolleve të shtuara në hyrje-daljet e vendit. Gjatë verifikimit të automjetit, u konstatuan mallrat e dyshuara të kontrabanduara, të cilat nuk ishin të shoqëruara me fatura blerjeje dhe dyshohet se ishin të destinuara për tregun vendas.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale celularët, shishet me verë, kamionin, si dhe pasaportën dhe telefonin e të arrestuarit. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme.
Autoritetet kufitare vijojnë kontrollet intensive me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në pikat kufitare të vendit.
©️zërionline


