Çdo 3 maj, bota ndalet për të reflektuar mbi një nga shtyllat themelore të demokracisë, lirinë e shtypit. E shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, kjo ditë shërben si kujtesë për rëndësinë e një media të lirë, të pavarur dhe të sigurt, që informon qytetarët, mban përgjegjës institucionet dhe mbron të vërtetën.

Në një kohë kur informacioni është më i shpejtë se kurrë dhe dezinformimi po sfidon besueshmërinë e burimeve tradicionale, roli i gazetarëve është jetik. Por krahas misionit të tyre, ata përballen me rreziqe të shumta – nga presioni politik e ekonomik, te kërcënimet fizike dhe censura dixhitale.
Edhe në Shqipëri, kjo ditë mbart një domethënie të veçantë. Gazetarët vazhdojnë të raportojnë në një klimë shpesh të polarizuar, ku ndikimi politik mbi mediat është i ndjeshëm dhe siguria profesionale lë për të dëshiruar. Organizatat vendase dhe ndërkombëtare për lirinë e shtypit e kanë cilësuar gjendjen e medias në vend si “të brishtë” dhe kanë kërkuar reforma të thella për të garantuar pavarësinë editoriale dhe mbrojtjen e gazetarëve në terren.
Sipas UNESCO-s, tema e këtij viti është “Gazetaria nën presion: sfidat e reja të epokës dixhitale”, duke vënë theksin te përhapja e inteligjencës artificiale, mungesa e transparencës së algoritmeve dhe rreziku i manipulimit të informacionit në platformat online.
Në këtë 3 Maj, thirrja është e qartë: të mbrojmë gazetarët si mbrojtës të të vërtetës, të promovojmë edukimin mediatik dhe të kërkojmë përgjegjshmëri nga të gjithë aktorët , publikë apo privatë, që ndikojnë në fushën e informacionit. Sepse pa një shtyp të lirë, nuk ka demokraci funksionale, dhe pa të vërtetën, qytetari humbet dritën që i udhëheq gjykimin.
©️zërionline


