Pazari i Krujës, i shpallur monument kulture i kategorisë së parë, mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për turistët që vizitojnë Shqipërinë. Me rrugicat karakteristike me kalldrëm dhe dyqanet e vjetra prej druri, ky treg i vjetër ofron një përvojë unike, ku historia, kultura dhe tradita shqiptare ndërthuren natyrshëm.

Gjatë gjithë vitit, Pazari tërheq vizitorë nga e gjithë bota, të cilët shprehen të mahnitur nga bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore që ofron kjo zonë.
“Jemi një grup i madh nga Kina. Është shumë bukur këtu. Më pëlqejnë malet, qyteti i vjetër dhe kalaja. Do të qëndrojmë në Shqipëri për 9 ditë”, shprehet një turiste kineze që sapo ka vizituar Pazarin.

Të njëjtin entuziazëm ndan edhe një turiste holandeze: “Po vizitojmë Shqipërinë gjatë këtyre pushimeve. Sapo kemi mbërritur dhe vizituam Pazarin e Krujës, është autentik. Pas Krujës do të shkojmë edhe në Shkodër e Berat.”
Për një tjetër turist holandez, ky është kontakti i parë me vendin:
“Është dita jonë e parë në Shqipëri. Udhëtuam nga Tirana deri këtu dhe gjithçka duket shumë bukur. Dy kolegë të mi kanë qenë këtu vitin e kaluar dhe ma rekomanduan.”
Ndërsa një çift turistësh tregon emocionet e pushimeve: “Jemi me pushime dhe po e shijojmë. Vend shumë i këndshëm, natyra, fshatrat, njerëzit. Jemi vërtet të kënaqur.”
Në dyqanet e Pazarit, mes aromës së drurit dhe ngjyrave të ndezura të produkteve artizanale, ende rrezaton mjeshtëria e dorës shqiptare. Qilima të punuar me lesh, veshje popullore të qëndisura me kujdes dhe bizhuteri tradicionale janë vetëm disa prej produkteve që tërheqin vëmendjen e vizitorëve.
Makbule Kaçiu, një nga artizanet e pakta që vijon të punojë në Pazar, shprehet me nostalgji dhe përkushtim: “Në Pazar ka ende artizanë të vjetër, por të rinjtë nuk vijnë. Motrat e mia bëjnë qilima leshi, ndërsa unë punoj me tezgjah, qëndis kostume popullore dhe mbulesa tavoline.”
Sfidat janë të mëdha. Pavarësisht interesit të turistëve për produktet tradicionale, artizanët shprehen të shqetësuar për mungesën e brezit të ri që të vazhdojë zanatet e trashëguara.
“Nuk ka zanat më të bukur se ky. Ja kjo bluzë, me copë të hershme të nënave tona, qëndisur me shumë detaje”, thotë një tjetër artizane, ndërsa prezanton me krenari punën e saj.

Bardhyl Vena, ish-punonjës i Artistikes së Krujës, thekson se prodhimi artizanal ka kaluar tashmë në shtëpi: “Këto janë prodhime të qytetit tonë. Dikur bëheshin te ndërmarrja Artistike, tani vetëm në shtëpi. Ka interes për to, pasi janë pjesë e trashëgimisë sonë.”

Por ruajtja e këtyre vlerave kërkon mbështetje institucionale.
“Do të ishte mirë që shteti të na ndihmonte. Do të kishte vlerë nëse artizanët prodhonin këtu në dyqan, jo në shtëpi. Kur turistët i shohin duke punuar, i vlerësojnë edhe më shumë,” nënvizon Vena.
Pazari i Krujës mbetet një pasqyrë e gjallë e traditës shqiptare, por pa ndihmën e duhur, kjo pasuri rrezikon të humbasë me kalimin e kohës. Në një kohë kur turizmi është në rritje, ruajtja dhe promovimi i zanateve tradicionale është një domosdoshmëri kulturore dhe ekonomike.

©️zërionline


