Gratë, politika dhe vizioni i së ardhmes, Diaspora nderon pionieret e politikës shqiptare

Date:

Share post:

Në një atmosferë reflektimi dhe vlerësimi, gra të politikës shqiptare nga vendi dhe rajoni, si dhe nga diaspora u mblodhën në ambientet e hotelit “Adriatik” në Durrës për të ndarë përvoja, sfida dhe vizione të përbashkëta për të ardhmen.
Forumi, i organizuar nga organizata ndërkombëtare “Women Alb-World”, solli në qendër të diskutimit rolin e grave në politikë, sfidat e përfaqësimit, rëndësinë e bashkëpunimit mes tyre dhe fuqizimin e lidershipit femëror në hapësirën shqipfolëse. Me ndarjen e çmimit “Pioniere në Politikë” për figura të spikatura që kanë hapur rrugën për shumë të tjera, eventi shënoi një moment domethënës në prag të përfundimit të fushatës elektorale në vend.

Për Mirela Mezanin, organizatoren dhe drejtuesen e kësaj organizate ndërkombëtare për gratë shqipfolëse, forumi solli një mesazh të qartë: “gratë duhet të bashkëpunojnë, përtej bindjeve politike, për fuqizimin dhe zhvillimin e tyre”.

I konceptuar në dy panele, aktiviteti vuri në qendër të vëmendjes gratë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në politikën shqiptare, përmes ndarjes për herë të parë të çmimit “Pioniere në Politikë”. Laureatet e këtij vlerësimi ishin Arta Dade, e para grua zëvendëskryeministre dhe ish-ministre e Jashtme; Bardhylka Kospiri, e para grua në karrige me rrota që ka mbajtur një post të lartë si zëvendësministre, me një kontribut të gjatë nga shoqëria civile; Ingrid Shuli, akademike, ministre dhe ish-deputete e Partisë Socialdemokrate; si dhe Jozefina Topalli, ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila megjithëse mungoi në forum, u vlerësua për rolin e saj historik.

“Jemi në kulmin e procesit zgjedhor dhe duam të japim një mesazh të fuqishëm: gratë duhet të jenë të bashkuara përtej dallimeve politike dhe profesionale”, – tha Mezani, duke theksuar se nismat e tilla synojnë krijimin e një platforme bashkëpunimi dhe mbështetjeje mes grave lidere.

Përveç vlerësimeve për figurat historike, forumi u bë edhe një tribunë për zërat aktivë të ditës në politikë. Jorida Tabaku, Mimi Kodheli dhe Mesila Doda, figura të njohura që kërkojnë një tjetër mandat në zgjedhjet e ardhshme, ishin ndër të vlerësuarat për kontributin dhe angazhimin e tyre.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i forumit ishte ftesa drejtuar të gjitha forcave politike për të prezantuar programet e tyre për gratë, në një kohë kur fushata zgjedhore po përmbyllet me aktivitete masive. Megjithëse pjesëmarrja ishte e kufizuar, për shkak të ngarkesës elektorale, organizatorët theksuan se ky do të ishte një moment i rëndësishëm për të tërhequr vëmendjen e diasporës ndaj angazhimit politik afatgjatë për çështjet e grave.

Pjesëmarrja e Shyrete Tahirit, e mbijetuara e parë e dhunës serbe gjatë luftës në Kosovë, që theu heshtjen dhe kërkoi drejtësi, solli emocione të forta në sallë.

“E dija që të heshtja nuk ishte më një mundësi. Dialogu i hapur u bë çelësi i shërimit tim”, – rrëfeu ajo, duke përcjellë mesazhin se drejtësia dhe dëshmia janë mënyra për të ndërtuar një të ardhme paqësore.

Ndërkohë, artistja Justina Aliaj solli momente artistike të mbushura me emocion, duke e bërë forumin një ngjarje shumëdimensionale.
Risi tjetër ishte edhe prania e një prej mbështetësve të forumit, Federica Angelucci nga “Best Western Premier Collection” njëkohësisht kompani që sponsorizon dhe “Giro d’Italia”, që për herë të parë nis nga Durrësi dhe shënon tre etapat e para të saj në Shqipëri. Ajo theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje sportive ndërkombëtare si një mundësi për të promovuar turizmin, bukuritë e Shqipërisë në sytë e botës.

Ky forum në Durrës, buzë Adriatikut, nuk ishte vetëm një takim reflektimi, por një thirrje për veprim dhe bashkëpunim. Gratë në politikë, në shoqërinë civile dhe në diaspora dhanë një shembull të fuqishëm se lidershipi femëror nuk njeh barriera, as fizike, as politike. Sepse fuqizimi i grave është një udhëtim kolektiv drejt një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Skandali me cerifikatën e COVID-it, reagon trajneri i Zvicrës: Do të gjejmë një zgjidhje për Granit Xhakën

Situata e Granit Xhakës ka marrë vëmendje të madhe në Zvicër, pas pranimit të mesfushorit se gjatë pandemisë...

Nga Frida Kahlo te Darth Vader, George Lucas hap muzeun 1 miliard dollarësh

Pas 17 vjetësh përgatitje, krijuesi i “Star Wars” dhe Mellody Hobson hapën në Los Anxhelos një institucion me...

Nga 5 tetori nis parkimi me pagesë në Durrës, çfarë duhet të dinë qytetarët

Pas një periudhe përgatitore, Bashkia Durrës ka përcaktuar zonat, tarifat dhe rregullat që do të aplikohen, ndërsa nënkryetari...

Kostoja e shëndetit, 8% e shqiptarëve nuk përballojnë ekzaminimet, e dyta më e lartë në Europë

Konsumi individual për shëndetësinë në Shqipëri ishte 662 euro për banor në vitin 2025, kundrejt 3,675 eurove mesatarisht...