Një ngjarje e rëndë është shënuar dje në lagjen nr. 13 të qytetit të Durrësit, ku një 37-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndërsa drejtonte automjetin, në përpjekje për të kanosur një shtetas. Në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe një 25-vjeçar, pasagjer në të njëjtin automjet, i dyshuar për moskallëzim krimi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja u denoncua një ditë më parë nga shtetasi D. K., 50 vjeç, i cili ka raportuar se është kanosur me armë nga një person ende i paidentifikuar në momentin e kallëzimit. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Nga të dhënat paraprake rezulton se shtetasi Indrit Nuredini, 37 vjeç, ndërsa qarkullonte me automjet në lagjen nr. 13, me pasagjer shtetasin Rando Murataj, 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në tokë, në drejtim të D. K., për motive të dobëta. Menjëherë pas të shtënave, të dy personat janë larguar nga vendngjarja me mjetin e tyre.
Në vijim të hetimeve, policia shpalli në kërkim autorin e dyshuar, I. Nuredini, si dhe pasagjerin R. Murataj, ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe automjeti i përdorur në këtë ngjarje. Forcat e rendit vijojnë punën për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Një tjetër rast: Denoncohet zhdukja e një 60-vjeçari
Ndërkohë, një rast tjetër është regjistruar në Komisariatin e Policisë Durrës, ku shtetasi K. M., 32 vjeç, banues në lagjen nr. 8, ka kallëzuar se më datë 1 maj 2025, është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më babai i tij, shtetasi A. M., 60 vjeç. Policia ka nisur menjëherë kërkimet për lokalizimin dhe gjetjen e tij.
©️zërionline


