Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë mbrëmje me urgjencë, jashtë orarit zyrtar, shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Dekreti është firmosur me propozim të Kryeministrit Edi Rama, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe ligjit për Shërbimin Informativ të Shtetit. Vendimi i Presidentit vjen vetëm pak orë pasi GJKKO caktoi ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”, me kërkesë të SPAK.

Hyseni, e emëruar në 2023, është përfshirë në një hetim të SPAK që lidhet me fraksionin e dosjes së AKSHI-t. Sipas të dhënave të bëra publike mbi hetimin, ndaj saj janë ngritur dyshime për veprat penale të “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “nxjerrjes së sekretit shtetëror”. Hetimi dhe masat e sigurimit nuk përbëjnë vendim përfundimtar fajësie, po ngritja e akuzave bëhet mbi bazën e provave të siguruara nga SPAK.
Fakti që hetimi i SPAK ka prekur drejtuesen e institucionit që administron dhe analizon informacionin e inteligjencës për sigurinë kombëtare i jep çështjes një peshë të veçantë institucionale. Nëse gjatë hetimit do të provohet se informacion i klasifikuar është nxjerrë apo është vënë në dispozicion të personave të paautorizuar, kjo do të ngrinte çështje serioze mbi mbrojtjen e informacionit sensitiv shtetëror dhe procedurat e sigurisë brenda institucionit. Për momentin, këto janë çështje që duhet të sqarohen nga hetimi dhe procesi gjyqësor.
Më herët, nga Nju Jorku, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Rama deklaroi se lirimi nga detyra i Hysenit do të ishte i menjëhershëm. Kryeministri theksoi gjithashtu parimin e prezumimit të pafajësisë, duke deklaruar se çdo dyshim i ngritur nga organet e akuzës duhet të zbardhet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.
Pas kthimit në Tiranë, Rama ka bërë të ditur se do të konsultohet me Presidentin Begaj për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SHISH-it.
L.B.


