Një tjetër ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Durrësit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sot, rreth orës 00:30, në lagjen nr. 18, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Ermir Dedja, 29 vjeç. I riu u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak më vonë.




Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur kontrollet në terren për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar. Aktualisht, një grup i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje, sigurimin e provave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Nga të dhënat paraprake mësohet se viktima Ermir Dedja ka pasur precedentë penalë. Në vitin 2015, ai ishte arrestuar si i dyshuar për shitjen e një sasie lënde narkotike dy shtetasve nga Hasi, të cilët synonin ta trafikonin në Kosovë. Dy vite më vonë, në vitin 2017, Dedja u ndalua sërish nga policia për mbajtje pa leje të një thike dhe përkrahje të autorit të një plagosjeje.
Ndërkohë që hetimet vijojnë, Policia ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion mbi ngjarjen, për të çuar përpara zbardhjen e këtij krimi dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë.
©️zërionline


