Është konfirmuar viktima e dytë nga shpërthimi i fuqishëm që tronditi mesditën e së mërkurës një pallat 5-katësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan.
Trupi i pajetë i 69-vjeçarit Hamit Ibro është gjetur nën rrënojat e godinës nga ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura.
69-vjeçari rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan për orë të tëra kërkimet për gjetjen e tij nën rrënojat e pallatit.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në një apartament në lagjen “Beqir Dardha”, duke shkaktuar dëme të rënda në strukturën e godinës. Si pasojë, muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit u shembën, ndërsa tre kate të ndërtesës u bashkuan në një.
Nga ngjarja humbi jetën edhe një 82-vjeçare, e cila banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.
Ndërkohë, 10 persona të tjerë, të cilët pësuan asfiksi, morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në të gjithë godinën, e cila është shpallur e pabanueshme. Banorët u evakuuan nga ekipet e emergjencës, ndërsa autoritetet po marrin masa për sistemimin e tyre.
Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshimet paraprake janë për një bombol gazi.


