Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në Maliq, ku një vajzë 12-vjeçare ka rënë pre e një tentative për ngacmim seksual nga një 60-vjeçar, fqinj i saj.
Ngjarja ndodhi gjatë ditës së djeshme, kur e mitura kishte dalë për të hedhur mbeturinat pranë banesës. Sipas dëshmisë së saj, fqiu i ka zënë rrugën në katin e dytë të pallatit dhe ka tentuar ta joshe me karamele dhe para, ndërsa më pas e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme dhe ka provuar ta puthë.
Vajza ka treguar vendosmëri dhe ka arritur të largohet, duke e goditur autorin dhe u kthyer me shpejtësi në shtëpi, ku i ka treguar nënës për atë që kishte ndodhur. Të dyja janë paraqitur menjëherë në Komisariatin e Maliqit, ku vajza ka dëshmuar në prani të një psikologeje.
Pas kallëzimit, policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka vënë në pranga shtetasin S. B., 59 vjeç, banues në Maliq.
Njoftimi i Policisë së Korçës: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin S. B., 59 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur 12-vjeçare.”
Materialet në ngarkim të të dyshuarit janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat.
⚠️ Thirrje për ndërgjegjësim: Fëmijët nuk janë të sigurt vetëm sepse janë afër shtëpisë
Ky rast, ashtu si dhe te tjere, tregon edhe një herë se rreziqet mund të vijnë nga persona të njohur, madje edhe fqinj të rritur. Policia dhe ekspertët e fushës së fëmijëve bëjnë thirrje që prindërit të jenë më të vëmendshëm, të komunikojnë hapur me fëmijët dhe t’i mësojnë ata të flasin pa frikë për çdo situatë të pakëndshme që përjetojnë.
Reagimi i shpejtë i vajzës dhe mbështetja e menjëhershme nga familja e saj ishin vendimtare për ndalimin e autorit dhe për mbrojtjen e mëtejshme të saj.


