Vali Qyrfyçi
Ndërsa maturantëve u ka mbetur edhe një provim për të mbyllur Maturën Shtetërore 2025, ai i lëndës me zgjedhje, në shumë familje shqiptare vijon diskutimi i një çështje më të madhe dhe më të rëndësishme për ata që duan të vazhdojnë më tej në rrugën e dijes. A është më mirë që fëmija, tashmë i rritur, të nisë menjëherë studimet jashtë vendit, apo të qëndrojë në Shqipëri për ciklin Bachelor dhe të largohet më pas për studimet Master?

Shumë aplikime janë bërë, të tjera vijojnë, po vendimet ende nuk janë marrë. Është një dilemë e njohur për shumë prindër, që shpesh vjen e mbështjellë me emocione, frikë dhe ndjenja faji, por edhe me aspirata të mëdha për të ardhmen e fëmijës. Sepse në thelb, nuk është vetëm një zgjedhje arsimore, por është një vendim që prek të gjithë familjen dhe planifikimin afatgjatë të jetës.
Mundësia e parë: studime jashtë
Studimet jashtë vendit për ciklin Bachelor kanë padyshim shumë përfitime. Ato i japin të rinjve mundësinë për t’u zhvilluar në një mjedis ndërkombëtar, për të njohur kultura të reja, për të ndërtuar rrjete kontakti dhe për të fituar një pavarësi që shpesh përshpejton pjekurinë personale dhe profesionale.
Në vendet me universitete të njohura, fëmija mund të ketë qasje në laboratorë të avancuar, praktikë të integruar, mësim nga profesorë me përvojë ndërkombëtare dhe një hapësirë të gjerë për të eksploruar pasionet e veta.

Por një zgjedhje e tillë kërkon shumë. Kërkon përgatitje, guxim, përkushtim dhe mbi të gjitha burime. Kostot e jetesës, tarifat e shkollimit dhe shpenzimet e përditshme nuk janë të pakta. Një 18-vjeçar/e, ende në fazën e ndërtimit emocional, mund të përballet me vështirësi të mëdha si vetmia, malli për shtëpinë apo sfida të integrimit në një kulturë të re.
Mundësia e dytë: bazat në vend, specializimi jashtë
Një alternativë e arsyeshme është që fëmija të kryejë Bachelor-in në Shqipëri, në një mjedis të njohur dhe pranë mbështetjes së familjes, dhe më pas të largohet për Master-in në një fushë të specializuar. Kjo rrugë u lejon prindërve të menaxhojnë më lehtë kostot financiare dhe i jep kohë fëmijës për të forcuar identitetin personal dhe akademik, si dhe për të bërë një zgjedhje më të pjekur për degën e studimeve master.
Gjithashtu, qëndrimi në Shqipëri për disa vite e ndihmon të riun të kuptojë më mirë realitetin e vendit të tij, të marrë pjesë në projekte, të krijojë një rrjet lokal dhe të ndërtojë një bazë të fortë mbi të cilën do të ngjitet më lart në studimet e mëvonshme.
Sigurisht, edhe ky opsion ka sfidat e veta. Mund t’i mungojë ekspozimi ndërkombëtar në moshë të re, dinamika e një universiteti global, apo praktikat reale që ofrohen që në vitin e parë në disa universitete të huaja. Por është një rrugë më e qetë, më e matur dhe shpeshherë më e sigurt.
Si ta dimë cila është zgjedhja e duhur?
Përgjigjja nuk është e njëjtë për të gjithë. Sepse në qendër të vendimit nuk duhet të jetë thjesht diploma, apo emri i universitetit, por vetë fëmija, me karakterin, ëndrrat, nevojat dhe ritmin e tij.
A është ai i gatshëm të jetojë vetëm në një vend të huaj? Është i aftë të përballojë kërkesat e një jete akademike të ngarkuar dhe sfidat e jetesës larg familjes? A e ka të qartë se çfarë dëshiron të ndjekë, apo ende po eksploron fushat e interesit?
Nga ana tjetër, edhe prindi duhet të bëjë pyetjen:
A jam i/e gatshme të mbështes financiarisht këtë hap, dhe nëse po, në çfarë forme? A mund ta bëjmë këtë realitet me ndihmën e një burse, me kursime apo me ndihmë nga të afërmit?
Një vendim me mendje të kthjellët dhe zemër të qetë
Zgjedhja për të studiuar jashtë është shpesh e ëmbël dhe e vështirë njëkohësisht. Është investim në të ardhmen, por edhe ndarje emocionale. Është krenari e madhe, por shpesh e shoqëruar me një zbrazëti të padukshme që ndihet në shtëpi.
Por mbi të gjitha, është një vendim që duhet marrë me kujdes, pa nxitim, dhe me mirëkuptim të ndërsjelltë, sepse çfarëdo rruge që të zgjedhë fëmija, ajo do të jetë më e sigurt dhe më e suksesshme kur ai/ajo e di se ka një familje që e mbështet, i beson dhe e pret gjithmonë krahëhapur.
©️zërionline


