Sektor Rinia në Durrës u shndërrua këtë fundjavë në arenën e sporteve të erës dhe ujit, teksa mikpriti për herë të parë Kampionatin e Kitesurf dhe Windsurf, një aktivitet dinamik që solli gjallëri, adrenalinë dhe ngjyra mbi valët e Adriatikut.

Nën qiellin e hapur dhe përballë një audience të gjallëruar nga spektakli i sportistëve që sfidonin erën dhe ujin, ky kampionat mblodhi dhjetëra pjesëmarrës vendas dhe të huaj, të apasionuar pas sporteve që kërkojnë guxim, teknikë dhe lidhje me natyrën.
Kampionati përfshiu dy disiplina kryesore në kitesurf:
-Gara e distancës, e ndarë në katër etapa nga pesë kilometra secila, ku sportistët vërtetuan qëndrueshmërinë dhe strategjinë,
-Kërcimi për së larti, një sfidë e spektaklit dhe kreativitetit.

Herald Kapaj, kryetar i shoqatës së Kitesurf-it, tha se nisma për këtë aktivitet nisi pas pjesëmarrjes së Shqipërisë për herë të parë në një garë ndërkombëtare në Francë, këtë maj.
“Ftuam sportistë vendas dhe të huaj që të garonin në kushte optimale në Durrës. Ky është një sport që bashkon energjinë, natyrën dhe bashkëpunimin”,- u shpreh ai.
Përzgjedhja e Sektorit Rinia, një zonë e njohur për erërat e qëndrueshme dhe ligatinën, nuk ishte rastësore. Aty ku era dhe uji takohen me perfeksion, garuesit patën mundësi të shpalosnin aftësitë e tyre në një ambient të përshtatshëm dhe mikpritës.

Sipas Fatjon Konçit, president i Federatës së Sporteve të Ujit, në këtë aktivitet morën pjesë katër klube shqiptare, si dhe sportistë të apasionuar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, por edhe turistë nga Gjermania që u bashkuan spontanisht me garën.
Përveç garës, ky kampionat shërbeu si një platformë për shkëmbim përvojash, forcimin e shpirtit të garës, por dhe grupit, si dhe promovim të një mënyre të shëndetshme jetese. Pjesëmarrësit e përshkruan eksperiencën si frymëzuese dhe dobiprurëse për mirëqenien fizike e mendore.
“Adrenalinë me shumicë”,- tha njëri prej tyre.
Fituesit e edicionit të parë të kampionatit ishin:
🥇 Fuad Hodziç nga Mali i Zi
🥈 Ersi Lilaj nga Shqipëria
🥉 Arben Mumgjiu nga Ulqini
Organizatorët shpresojnë që ky kampionat të kthehet në një ngjarje të përvitshme, e cila jo vetëm do të zhvillojë më tej sportet e ujit në Shqipëri, por edhe do të jetë një shtysë për turizmin sportiv dhe rritjen e interesit për aktivitetet në natyrë, veçanërisht në bregdetin shqiptar që ofron bukuri natyrore dhe kushte të shkëlqyera për sportet e aventurës.
©️zërionline


