Në një arenë plot energji dhe garues të rinj nga mbarë bota, shkëlqeu një emër shqiptar, Amanda Dedej. Vajza nga Lushnja, vetëm 14 vjeç, ka rrëmbyer medaljen e artë në një nga eventet më të rëndësishme të sportit të karatesë për të rinj, WKF Youth League Poreč 2025, duke u shpallur kampione botërore në kategorinë U14 -52 kg në disiplinën kumite.

Me një seri ndeshjesh të padiskutueshme, Amanda tregoi që suksesi i saj nuk është aspak i rastësishëm. Ajo dominoi me rezultatin 6-0 ndaj Ukrainës, 4-0 kundër Hungarisë, 6-1 me Suedinë, si dhe vijoi me fitore të pastra ndaj Italisë (1-0), Bullgarisë (1-0), për të finalizuar me një tjetër triumf të thellë 4-0 përballë serbes Neda Marićević në ndeshjen finale.
Frymëzim për shumë të rinj e të reja, Amanda është një vajzë që përfaqëson me dinjitet, pasion dhe krenari ngjyrat kuqezi në çdo kampionat ku merr pjesë. E stërvitur me përkushtim nga babai dhe njëherësh trajneri i saj, Lirim Dedej, i licencuar nga Federata Botërore e Karatesë, Amanda është shembulli i një pune të palodhur dhe besimi tek vetja.

Ky sukses vjen pas titujve të mëparshëm si Kampione Ballkanike dhe dy herë finaliste në vitet 2023-2024, duke e konfirmuar tashmë si një emër të madh në sportin shqiptar të karatesë.
Në këtë kompeticion ndërkombëtar, që u zhvillua në Poreç të Kroacisë nga data 26 deri më 29 qershor, morën pjesë rreth 4000 sportistë nga 78 vende të botës, që dhanë më të mirën në disiplinat e karatesë, duke promovuar vlerat e garës së ndershme, disiplinës dhe shpirtit luftarak.
Amanda, “princesha kuqezi” e tatamit, jo vetëm që i dha Shqipërisë një tjetër medalje ari, por edhe një model të ri për brezin e ri të sportistëve. Me këtë medalje në qafë dhe buzëqeshjen që nuk i largohet nga fytyra, ajo vazhdon të jetë një ambasadore e re e sportit për vendin.
©️zërionline


