Në portin e Durrësit ka mbërritur një mysafire e veçantë, që ngre velat e historisë, shpresës dhe njerëzores skuna franceze “Bel Espoir” (Shpresa e Bukur). E shpallur monument kombëtar lundrues në Francë, kjo anije nuk është thjesht një mjet detar, por një simbol i një rruge jetësore të dytë për shumë të rinj në vështirësi.
E ndërtuar në vitin 1944 në kantierin J. Ring Andersen në Danimarkë, fillimisht “Bel Espoir” lundroi për qëllime tregtare në Detin Baltik, më pas si anije peshkimi në ujërat e akullta të Terre-Neuve në Atlantikun e Veriut. Por kthesa e saj më e rëndësishme ndodhi në vitin 1968, kur u ble nga shoqata franceze AJD (Amis du Jeudi-Dimanche), themeluar nga prifti Michel Jaouen, një figurë e paharruar në fushën e rehabilitimit social.

Për dekada me radhë, “Bel Espoir” ka shërbyer si një shkollë lundrimi dhe jetë për të rinj me probleme sociale, të varur nga substanca, apo në udhëkryqe të vështira të jetës. Nga bordi i saj nuk janë nxjerrë vetëm nyje detare, por edhe dritëz shprese për të nisur nga e para. Në fakt, Michel Jaouen thoshte shpesh se: “Në këtë anije nuk ka të humbur, vetëm të rigjetur.”
Që nga viti 1993, “Bel Espoir” mban statusin e monumentit kombëtar në Francë, por misioni i saj është gjithmonë ndërkombëtar. E njohur për lundrimet në Karaibe dhe brigjet perëndimore të Evropës, tani ajo ka zgjedhur të ndalet edhe në Durrës, një port që vetë ka qenë historikisht portë shprese dhe lidhje mes qytetërimeve.
Mbërritja e “Bel Espoir” në Shqipëri sjell më shumë sesa kuriozitetin për një anije të rrallë me vela. Ajo ngre një pyetje të heshtur, por të fuqishme: a mund të bëhet çdo vend një strehë e shpresës për ata që kërkojnë të rigjejnë veten? Skuna “Bel Espoir” është një nga pak anijet tradicionale evropiane me vela që funksionon ende me mision social aktiv, duke e bërë atë një model unik të rehabilitimit përmes detit në Evropë.
©️zërionline


