Një përplasje me armë zjarri në aksin rrugor Durrës-Tiranë mes policisë dhe dy grabitësve përfundoi me një të plagosur dhe një të arrestuar. Autorët, që kishin vjedhur pak ditë më parë një automjet dhe kishin kryer një grabitje me dhunë në Sukth, hapën zjarr mbi efektivët, por u neutralizuan.
Ngjarja nisi rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, pranë zonës së “Çifligut” në Sukth. Shërbimet e Policisë së Durrësit konstatuan automjetin e vjedhur mbrëmjen e 20 gushtit në Sektor Rinia. Disa orë më pas, me mjetin e vjedhur autorët realizuan grabitjen e xhiros së një karburanti në Sukth.

Menjëherë pas konstatimit, policia u vu në ndjekje të mjetit që lëvizte me shpejtësi drejt Tiranës, ndërsa u kërkua mbështetje nga DVP Tiranë. Para se të mbërrinin në Vorë, në rrethrrotullimin e mbikalimit që të çon drejt Shijakut, te Çezma e Pikëzës, automjeti doli nga rruga. Në këtë moment, dy të rinjtë hapën zjarr mbi efektivët, të cilët u kundërpërgjigjën në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.


Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas të Shijakut, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bashkëpunëtori i tij, Lorenc Çali, 27 vjeç, u kap dhe u arrestua pas rezistencës së armatosur.
Në vendngjarje policia sekuestroi një armë automatike me dy krehra, të përdorur nga autorët gjatë përplasjes. Hetimet për dokumentimin e plotë të rastit vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
©️zërionline


