Një jetë e shkurtër, një mision i papërfunduar dhe një letër që mbeti si dëshmi e dashurisë mëmësore. Mariam Abu Dagga, vetëm 33 vjeçe, u vra të hënën nga një sulm ajror izraelit në kompleksin mjekësor Nasser në Gaza. Ajo ishte fotoreportere e njohur për punën e saj të përkushtuar dhe për raportimin e pavarur që kishte nisur të bënte për Associated Press që prej fillimit të luftës.
Në Gaza, të jesh gazetar është një mision i dyfishtë, për të treguar të vërtetën dhe për të dokumentuar shkatërrimin, edhe kur objektivi bëhesh ti vetë. Mariam e dinte këtë rrezik, por zgjodhi të mos heshtte. Përmes fotografive dhe pamjeve, ajo i tregonte botës një realitet që shpesh mbetet i mbuluar nga tymi i bombardimeve.

Pak ditë para se të humbiste jetën, Mariam shkroi një letër si amanet për djalin e saj të vogël, Ghaithin. Nuk ishte një testament i zakonshëm, por një mesazh zemre, ku përzihen dhembja dhe shpresa.
“Ghaith, ti je zemra dhe shpirti i nënës tënde. Dua që të lutesh për mua dhe të mos qash, që të mbetem e lumtur. Dua të ma mbash kokën lart, të punosh fort, të shquhesh dhe të jesh i aftë. Dua të bëhesh i suksesshëm, i dashuri im.”
Në vargjet e saj të thjeshta, ajo i kujtonte birit sakrificat që kishte bërë për të, që të rritej me gëzim, që të mos i mungonte asgjë, që të ndiente dashurinë e një nëne të vetme që jetën e kishte vendosur në shërbim të tij.
“Kur të rritesh, të martohesh dhe të kesh një vajzë, vendosi emrin tim, Mariam.”
Ky ishte amaneti i saj për të mbajtur gjallë kujtimin, për ta bërë emrin e saj pjesë të një jete të re, edhe nëse ajo vetë nuk do të ishte më.
Letra mbyllet me një lutje të përsëritur, që tingëllon si britma e fundit e një zemre të thyer, por që shpreson të mbetet e gjallë nëpërmjet fëmijës:
“Ti je dashuria ime, zemra ime, mbështetja ime, shpirti im dhe djali për të cilin jam krenare. Një amanet po të lë, Ghaith: lutjen tënde, pastaj lutjen tënde, pastaj lutjen tënde, biri im.”
Mariam Abu Dagga u bë simbol i gazetarëve palestinezë që kanë humbur jetën gjatë muajve të fundit në Gaza. Me kamerën në dorë, ajo ishte dëshmitare e një tragjedie kolektive, por gjithashtu një nënë që, si shumë të tjera, e jetonte çdo ditë me frikën se një sulm i papritur mund ta ndante përgjithmonë nga fëmija.
Në Gaza, testamentet nuk shkruhen nga të moshuarit apo të sëmurët, por nga njerëz të rinj që jetojnë çdo ditë me frikën e fundit. Prindërit u lënë fëmijëve letra lamtumire, fëmijët i shkruajnë shokëve të tyre fjalët e fundit dhe familjet ua drejtojnë botës mesazhet që mund të mbeten si dëshmi nëse një bombë ua fshin ekzistencën.
Në këtë realitet të dhimbshëm, letra e Mariamit është shumë më tepër sesa një testament. Ajo është një akt dashurie dhe rezistence, një mënyrë për të mos lejuar që fjala e saj të shuhet me trupin, por të jetojë përmes kujtimit, përmes birit të saj, përmes çdo njeriu që e lexon dhe e ndien dhembjen e saj.
©️zërionline


