Vatra të ndryshme zjarri përfshinë mëngjesin e sotëm zonën e mbrojtur Krastë-Virjon, ku flakët u shpërndanë në pesë pika të ndara nga njëra-tjetra. Alarmi u dha rreth orës 07:15, pas evidentimit të vatrave, ndërsa në terren u angazhuan menjëherë forcat zjarrfikëse të Krujës, Administrata e Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor dhe efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë.

Në operacion morën pjesë 10 zjarrfikës, 13 punonjës të administratës së zonave të mbrojtura, 4 punonjës të shërbimit pyjor dhe 5 efektivë policie. Ndërhyrja u ndoq nga afër nga nënprefekti i Krujës, Xhek Xheka, dhe nga sektori i emergjencave civile.
Terreni i thyer, mungesa e infrastrukturës rrugore dhe pylli i dendur e bënë ndërhyrjen në brendësi të zonës tepër të vështirë, duke kërkuar ecje në këmbë për t’u afruar pranë flakëve. Për shkak të rrezikut të përhapjes, u kërkua mbështetje nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, duke u angazhuar një helikopter i Forcës Ajrore për të reduktuar intensitetin e zjarrit dhe përhapjen e tij.
Prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani, falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për të vënë nën kontroll situatën, si dhe ekuipazhin e Forcës Ajrore. Ai vuri në dukje përkushtimin e strukturave në terren, të cilat me guxim dhe profesionalizëm mbrojnë jetën, pronën dhe mjedisin.
Prefekti Jani apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke kujtuar se zjarrvënia është vepër penale dhe ndëshkohet me ligj.
©️zërionline


