Një zjarr i qëllimshëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një mobileri në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe frikë tek banorët e zonës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, kur një person i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet objektit, thyen xhamin e derës me një çekiç dhe më pas hedh benzinë nga një bidon, duke i vënë flakën ambientit të biznesit.
Pas kryerjes së aktit, autori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e mobilerisë, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur pas pak minutash dhe ka parë se kati i parë i biznesit të tij ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë, duke arritur të shuajnë flakët, por dëmet materiale rezultojnë të mëdha. Sipas pronarit, humbjet e shkaktuara arrijnë këtë herë në 3 milionë lekë të reja.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur motivet e ngjarjes.
Në një prononcim për mediat, Eduart Aliko shprehet se nuk ka konflikte dhe se nuk e kupton ende arsyen e këtij akti të përsëritur.
“Nuk kam asnjë konflikt me askënd. As me konkurrencën nuk besoj të kem probleme. Ia lë drejtësisë ta zbardhë këtë ngjarje dhe të kapë autorin”, – tha ai.
Kjo është hera e dytë që mobileria e Alikos i vihet flakë. Në incidentin e parë, dëmet arritën në rreth 5 milionë lekë të reja, ndërsa ngjarja e sotme e çon në total humbjen në mbi 8 milionë lekë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.


