Situata e motit të përkeqësuar ka sjellë probleme serioze në qarkullimin rrugor në Qarkun e Shkodrës gjatë orëve të fundit. Prefekti i Qarkut Shkodër ka informuar se salla operative e Komisariatit të Policisë Shkodër ka marrë një numër të konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë, të cilët raportojnë se disa familje, mes tyre edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.
Bllokimet janë evidentuar në disa akse, konkretisht nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Në këtë zonë po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë, ndërsa temperaturat e ulëta kanë sjellë formimin e ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve.

Sipas raportimeve zyrtare, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut. Falë ndërhyrjes në terren të shërbimeve të Policisë Rrugore dhe mjeteve borëpastruese, lëvizja ka nisur të rivendoset gradualisht. Strukturat përkatëse janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.
Prefekti i Qarkut Shkodër është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes të gjitha strukturave përgjegjëse, me qëllim normalizimin sa më të shpejtë të qarkullimit dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.
Në këtë kuadër, autoritetet apelojnë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje apo problematikash, qytetarët ftohen të kontaktojnë menjëherë Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencës.
©️zërionline


