Për fëmijët, festat e fundvitit kanë ndryshuar ndjeshëm. Ato nuk lidhen më vetëm me aromën e ushqimit në shtëpi, me vizitat te gjyshërit apo me pritjen e Vitit të Ri pranë prindërve. Sot, festa për shumë fëmijë matet me dhuratën, telefonin e ri, lodrën më të shtrenjtë apo videon që duhet postuar.
Në një shoqëri ku prindërit punojnë gjithnjë e më shumë dhe koha familjare është gjithnjë e më e kufizuar, dhurata shpesh zëvendëson praninë e tyre në familje.
Psikologët vërejnë se për shumë fëmijë, festat janë kthyer në “moment blerjeje”, jo në përjetim emocional. Prindërit, të lodhur ose nën presion ekonomik, përpiqen të kompensojnë mungesën e kohës me dhurata materiale.
Por fëmijët nuk kërkojnë domosdoshmërisht më shumë sende. Ata kërkojnë vëmendje, kohë dhe ndjesinë e sigurisë emocionale.
Festat përmes ekranit
Sot, shumë fëmijë i përjetojnë festat përmes ekranit: video në TikTok, lojëra online, krahasime me bashkëmoshatarët. Kjo krijon pritshmëri të rreme dhe zhgënjim, sidomos kur realiteti familjar nuk përputhet me atë që shohin online.
Në këtë mënyrë, festa humbet thjeshtësinë dhe bëhet burim presioni edhe për më të vegjlit.
Kur festa nuk është e barabartë për të gjithë
Jo të gjithë fëmijët e përjetojnë fundvitin njësoj. Fëmijët në familje me vështirësi ekonomike, me prindër emigrantë apo në situata të vështira sociale, shpesh ndihen të përjashtuar nga atmosfera festive.
Krahasimi me të tjerët i bën festat më të dhimbshme se të gëzueshme.
Po çfarë u duhet realisht fëmijëve?
Ekspertët theksojnë se për fëmijët, festat janë të shëndetshme kur rikthehen te thjeshtësia, biseda, lojëra të përbashkëta, rituale familjare dhe ndjesia e përkatësisë.
Në fund, fëmijët nuk do të mbajnë mend çmimin e dhuratës, por ndjesinë se si u ndjenë, çfarë kanë parë, dëgjuar dhe dashur.
©️zërionline


