Pas muajsh kërkimesh dhe hetimesh intensive, Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Masa”, duke vënë në pranga një person të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në kuadër të planit të posaçëm të masave për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, përmes Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë zhvilluar kontrolle të targetuara që çuan në finalizimin e operacionit.
Si rezultat, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Erjon Kullolli, alias Arjan Kullolli, 45 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim që prej janarit 2025, ndërsa Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në korrik 2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Hetimet ndaj tij kishin nisur në janar 2025, kur pas informacioneve operative për aktivitet të paligjshëm në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, policia ushtroi kontroll në banesën e 45-vjeçarit, ku u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis. Në momentin e kontrollit, ai nuk u gjet në banesë dhe prej asaj kohe ishte në arrati.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
©️zërionline


