Situata në Qarkun Durrës vijon të jetë kritike si pasojë e reshjeve intensive dhe daljes nga shtrati të lumenjve, kryesisht Erzenit, duke shkaktuar përmbytje të gjera në zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha bujqësore. Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile ndodhen në terren në gatishmëri të plotë, në koordinim të vazhdueshëm me Shtabin e Emergjencave Civile.
Bashkia Durrës
Në territorin e Bashkisë Durrës, lumi Erzen ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa zona në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri. Kanali i Tonës ndodhet në nivel maksimal, ndërsa hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë. Janë dëmtuar rreth 500 metra linearë argjinaturë, prej të cilave 300 m në Katund të Ri dhe 200 m në Sukth.
Në terren janë angazhuar 448 efektivë dhe punonjës nga Bashkia dhe ndërmarrjet e saj, UKD, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, OSHEE, mjekë të familjes, si dhe Rezervat e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, me mjete të rënda, pompa dhe gomone. Kapacitetet teknike po shtohen në varësi të zhvillimit të situatës.
Janë evakuuar gjithsej 667 banorë. Në Sukth, 300 persona janë strehuar tek familjarët dhe 36 në hotel. Në Katund të Ri janë evakuuar 53 persona, të akomoduar në hotele ose banesa të afërmish. Në ambientet e Kavalishencës janë strehuar 251 persona, në Shtëpinë e Pushimit 53 persona dhe në kompleksin “FAFA” 20 persona, i cili mbetet në gatishmëri për pritje të mëtejshme.
Drejtoria e Rezervave Shtetërore ka siguruar 700 pako ushqimore. Prej tyre, 300 pako janë shpërndarë në Kavalishencë dhe Shtëpinë e Pushimit, me tre vakte në ditë për pesë ditë, ndërsa 400 pako janë ndarë në zonën e Durrësit të Ri (ish-Këneta) dhe Plazh. Banorët e strehuar në kompleksin “FAFA” po trajtohen me ushqim nga vetë hoteli. Organizata humanitare si “Qatar Save the Children” dhe “Fundjava Ndryshe” kanë shprehur gatishmëri për ndihma ushqimore dhe pritet mbërritja e tyre për shpërndarje.
Deri në orën 20:00 janë verifikuar 2 645 banesa dhe janë mbajtur 699 akte konstatimi, ndërsa procesi i verifikimit vijon. Në Katund të Ri dhe Sukth, përmbytjet kanë prekur fshatrat Erzen dhe Fllakë, me rrezik për zonën e Qerretit. Janë përmbytur rreth 1 000 hektarë tokë bujqësore në këtë zonë, rreth 5 000 hektarë në Sukth dhe 400 hektarë në Rrashbull. Në njësinë nr. 2 janë raportuar 12 rrëshqitje dherash, ndërsa në njësitë nr. 5 dhe 6 shumë banesa vijojnë të jenë nën ujë, me akse të pakalueshme.
Bashkia Krujë
Në Bashkinë Krujë situata paraqitet problematike kryesisht në akset rrugore. Në Njësinë Administrative Thumanë, disa banesa janë përmbytur dhe 7 familje janë evakuuar, të strehuara tek të afërmit. Ndërhyrjet janë kryer edhe me mjete të Forcave të Armatosura dhe një eskavator nga Durrësi. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Droje në fshatin Dukagjin dhe për hapjen e kanaleve kulluese, çka ka sjellë tendencë rënieje të nivelit të ujit në Miliskajë dhe Dukagjin. Lumenjtë Gjole dhe Zëzë kanë dalë nga shtrati. Janë dëmtuar rreth 50 m argjinaturë, janë përmbytur 600 hektarë tokë bujqësore dhe janë dëmtuar 50 banesa. Numri i të evakuuarve është 30, ndërsa në terren veprojnë 30 forca operacionale.
Bashkia Shijak
Situata në Bashkinë Shijak mbetet e vështirë, veçanërisht në Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj, ku ka prani uji në banesa dhe probleme serioze në qarkullim. Zona e Fllakës paraqitet gjithashtu problematike. Fshatrat Fllakë dhe Sallmonaj, si dhe zona “4 Rrugët e Shijakut”, janë më të prekurat. Janë përmbytur rreth 180 hektarë tokë bujqësore, 75 banesa dhe janë dëmtuar rreth 400 m argjinaturë. Disa akse rurale mbeten të bllokuara, me rreth 10 banesa në pika kritike.
Sipas shtabit të emergjencave të prefekturës, të gjitha strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në gatishmëri maksimale dhe situata po monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe ndërhyrjet po kryhen sipas prioriteteve të emergjencës, në varësi të ecurisë së reshjeve dhe nivelit të ujit në zonat problematike.
©️zërionline


