Nga tetë të arrestuar fillimisht si përgjegjës për arratisjen e të dënuarit nga burgu i Durrësit, vetëm tre persona përfunduan në arrest në burg, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si u ndërtua dhe u paraqit dosja hetimore nga Prokuroria.

Fillimisht, hetimi u shoqërua me një qasje që i ngjante më shumë përgjegjësisë kolektive, ku u kërkua masa më e rëndë e sigurisë për të gjithë të ndaluarit. Por gjatë seancës gjyqësore, vetë Prokuroria ndryshoi qëndrim, duke lehtësuar masat për pjesën më të madhe të të arrestuarve.
Në përfundim, gjykata la në qeli vetëm tre persona, ndërsa për të tjerët u vendos arrest në shtëpi dhe detyrim paraqitjeje, një zhvillim që de facto zbeh peshën e përgjegjësisë së pretenduar për arratisjen dhe ngre dyshime mbi bazën provuese të akuzave fillestare.
Ky ndryshim kursi nxjerr në pah jo vetëm paqëndrueshmërinë e kërkesës fillestare të Prokurorisë, por edhe nevojën për hetime më të sakta dhe të individualizuara, sidomos në çështje me ndjeshmëri të lartë publike si siguria në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar ankimin e vendimeve, ndërsa hetimet vijojnë, tashmë me një dosje me përgjegjësi më të kufizuar sesa ajo e pretenduar në fillim.
Vendimi i Gjykatës:
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në Burg
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve; Arrest në shtëpi
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitjeje
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në Burg
Inspektor Fatjon Baçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në Burg
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitjeje
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitjeje
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës, Arrest në shtëpi
©️zërionline


