Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit. Në Shijak, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Decision”, duke çuar në kapjen e një 53-vjeçari të dënuar nga drejtësia italiane.
Si rezultat i punës intensive për gjurmimin dhe lokalizimin e personave në kërkim, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, arritën të lokalizonin dhe arrestonin Festim Keçin, 53 vjeç, banues në Shijak.
Sipas autoriteteve policore, Keci ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos, në vitin 2023, e ka dënuar atë me 9 vite burg për vepra të rënda penale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike, pjesëmarrjen në organizatë kriminale dhe shfrytëzimin e prostitucionit, të parashikuara nga Kodi Penal italian.
Arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimi drejt Italisë, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë Durrës, për vijimin e procedurave ligjore.
Policia e Shtetit thekson se operacionet për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht do të vijojnë, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
©️zërionline


