Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Durrës, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar gjatë ushtrimit të detyrës së gazetarit Aldo Mustafa në qytetin e Durrësit, duke e cilësuar atë një pengesë të pajustifikuar dhe të papranueshme ndaj misionit të medias për informimin e publikut.
Gazetari Aldo Mustafa është përballur me presion gjatë punës në terren, pasditen e së premtes, teksa po filmonte punën e punonjësve të Policisë Rrugore për vendosjen e masave administrative ndaj drejtuesve të automjeteve përgjatë rrugës Adria në dalje të qytetit të Durrësit. Bëhet fjalë për një segment rrugor ku prej muajsh zhvillohen punime dhe ku mungon sinjalistika përkatëse. Kjo si dhe fakti që në Durrës janë shtuar ndjeshëm gjobat ndaj qytetarëve, ndërsa nuk ka hapësira publike për parkim, e bën raportimin mbi këtë situatë një çështje me interes të drejtpërdrejtë publik.
Sipas informacionit të raportuar, punonjës të Policisë Rrugore nuk kanë pranuar identifikimin e gazetarit, pavarësisht se ai ka paraqitur kartën e gazetarit në mënyrë virtuale. Po ashtu, nuk është respektuar fakti se në mbështetje të tij kanë mbërritur menjëherë kolegë gazetarë që ndodheshin pranë zonës, duke konfirmuar se ai ishte në ushtrim të detyrës dhe në përmbushje të misionit të tij profesional.
Presioni i ushtruar ndaj gazetarit për të ndalur raportimin krijon një klimë të papranueshme për ushtrimin e lirë të profesionit dhe cenon drejtpërdrejt të drejtën e publikut për t’u informuar. Detyra e gazetarit është të dokumentojë, të pyesë dhe të informojë, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprime të institucioneve shtetërore që prekin qytetarët në jetën e përditshme.
Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja: pse duhet t’i druhet filmimit një punonjës policie në detyrë, nëse veprimet e tij janë në zbatim të ligjit?
Transparenca është garanci, jo kërcënim.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Durrës thekson se ky nuk është një rast i izoluar. Nuk është hera e parë që punonjës të Policisë së Shtetit sillen në mënyrë arbitrare ndaj gazetarëve në terren. Në mënyrë të përsëritur, përfaqësues të medias janë përballur me gjuhë fyese, intimidim dhe pengesa të pajustifikuara, edhe pse respektojnë perimetrin e sigurisë dhe kryejnë detyrën e tyre profesionale.
Më shumë se kurrë, është e domosdoshme që gazetarët të jenë një zë i vetëm. Por dhe publiku t’i mbështesë pasi janë zëri i qytetarëve. Puna e gazetarit është e vështirë, shpesh e ekspozuar ndaj presioneve dhe keqkuptimeve, por thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës solidarizohet plotësisht me kolegun Aldo Mustafa dhe i thotë STOP sjelljeve të atyre që shfrytëzojnë uniformën për të penguar punën e medias, të atyre që flasin në emër të ligjit, por që me veprimet e tyre janë të parët që e shkelin atë.
Respekti për gazetarin në detyrë është respekt për qytetarin.
Liria e medias nuk është privilegj, por e drejtë.
©️zërionline


