Banorët e fshatit Baks-Rrjoll të Velipojës, vijojnë ditën e dytë të protestave kundër ndërtimit të resortit luksoz nga kompania ‘Gener2’ e Bashkim Ulajt. Ata akuzojnë biznesmenin se u ka grabitur pronat dhe sot kanë shkuar të bllokojnë punën e fadromave.
Ato kanë bllokuar për rreth 1 orë rrugën Shëngjin-Velipojë, por nuk kanë munguar as tensionet me policinë. Pas rrugës, ato kanë zbritur në kantier ku kanë bllokuar punimet duke kërkuar që makineritë të largohen nga aty.

“Jam në tokën time, ca bëni kështu. Jemi në tokën tonë. Silleni përfaqësuesin të merremi vesh”, dëgjohen të thonë banorët.
Banorët shprehen se kjo situatë është e pakuptimtë dhe se do t’i vazhdojnë protestat, duke e akuzuar ndërtuesin dhe botuesin Bashkim Ulaj se u ka grabitur tokat. Gjatë protestës se sotme disa banorë janë shoqëruar nga Policia e Shkodrës, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet fizike mes tyre dhe efektivëve.
Më 16 janar të këtij viti, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për resortin turistik gjigant në zonën Rrjollit në Shkodër, dhe parashikon ndërtimin e një kompleksi me sipërfaqe rreth 1.46 milionë metra katrorë, i konsideruar një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
©️zërionline


