Tre muaj pas atentatit mafioz pranë aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe i ka kaluar dosjen SPAK pas dyshimeve se ngjarja është kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në atentatin e 11 nëntorit 2025, mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani alias Sheqeri, i cili humbi jetën në spital 4 ditë më pas.
Prokuroria e Tiranës kreu verifikimet dhe doli në konkluzionin që organ kompetent për ta hetuar ngjarjen kriminale është Struktura e Posaçme, pas të gjitha indicieve se pas ekzekutimit në Rinas, fshihet një grup kriminal, i organizuar me role të ndara, porositës, organizator, qitësit etj.
Vrasja e Danit dhe mikut të tij ka mbetur pa autor, ndërsa pista e hetimeve është përplasja mes grupeve kriminale. Policia ngriti shumë pista dhe të dyshuar, krehu zonën me Operacionalen dhe Renean, por asgjë me vlerë nuk u gjet. Makina e autorëve u pa pranë një shtëpie në fshatin Zallë, ku u zbulua një arsenal armësh, por ekspertiza përjashtoi lidhjen me atentatin.
©️zërionline


