Një konflikt për motive krejt të dobëta ka përfunduar në vrasje në qytetin e Kavajës, duke tronditur komunitetin lokal.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur pasi viktima, Skender Isufi, 47 vjeç, kishte parkuar automjetin para banesës së shtetasit Land Derjaj alias Landi Puja. Ky i fundit ka dalë nga banesa dhe i ka kërkuar Isufit të largojë makinën, kërkesë që ka sjellë nisjen e një debati verbal mes tyre.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjatë përplasjes me fjalë, viktima nuk ka pranuar ta largojë mjetin. Në kulmin e debatit, Derjaj ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe e ka ndjekur me të në dorë duke e goditur dy herë në pjesën e kraharorit, pranë zemrës, disa metra më tutje.

Si pasojë e plagëve të marra, Skender Vrapi alias Skerdilajt Isufi ka ndërruar jetë në spital.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka nisur kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë vëmendjen tek konfliktet e çastit që degradojnë në dhunë fatale, shpesh për shkaqe krejtësisht të parëndësishme.


